Gjumëndjellja e pasbukës

 

Shumëkush e ka provuar ndjesinë e të ardhurit të gjumit pas bukës e madje për shumë njerëz kjo është një ndjesi e përditshme dhe që e konsiderojnë normale. Veçanërisht nëse vakti i ngrënë ka qënë i pasur në ushqime që përmbajnë kryesisht  hidrate të karbonit si buka, makaronat, orizi, ëmbëlsirat etj..

Nga pikpamja klinike konsiderohet si shenjë latente e insulinorezistencës, por matjet laboratorike tregojnë se jo gjithnjë ka të bëjë me këtë faktor metabolik.

Kërkuesit kanë shtruar hipotezën se shkak për këtë janë substancat e quajtura ezorfina, peptide me bazë opioide siç janë gliadorfina dhe gluteomorfina të cilat formohen gjatë tretjes së glutenit. Këto proteina, shumë të ngjashme me endorfinat, lidhen me receptorët e opioideve në tru dhe shqetësojnë aktivitetin e tyre. Kjo ndodh veçanërisht në personat me përshkueshmëri të lartë të mureve të zorrës (sindroma e zorrës që “pikon”) në të cilët, këto substanca që normalisht nuk duhet të kalojnë barrierën e aparatit tretës, e “injorojnë” këtë të fundit dhe përfundojnë, nëpërmjet gjakut, direkt e në tru.

Një tjetër hipotezë, më e vjetër se kjo e fundit, është ajo që lidhet me nevojën më të madhe që paraqet aparati tretës për oksigjen gjatë kryerjes së funksioneve të tij, ndaj ndikon në përqëndrim më të madh të gjakut në të gjatë tretjes. Kjo bën që të mungojë një sasi gjaku në periferi, ndër të tjera edhe në tru. Mirëpo matjet e fluksit të gjakut në tru, gjatë dhe mënjëherë pas të ushqyerit, kanë rezultuar përgjithësisht konstante ndaj edhe kjo hipotezë është vënë seriozisht në diskutim.

Hipoteza disi më bindëse është ajo e lidhur me gjendjen e hipoglicemisë reaktive, për shkak të rritjes së nivelit të insulinës për 1-2 orë pas ushqimit. Një vakt i pasur në hidrate të karbonit (sheqerna) sjell si pasojë rritjen e menjëhershme të këtyre të fundit në gjak. Ndaj kësaj situate, pankreasi përgjigjet duke sekretuar një sasi më të madhe insuline e cila bën që sheqernat të hyjnë në metabolizmin qelizor e të mos mbeten jashtë qelizave në qarkullim apo të konvertohen në substanca të tjera nga ana e mëlçisë. Por nëse sasia e sheqernave të marra nëpërmjet ushqimit është më e madhe se e nevojshmja, pankreasi detyrohet të sekretojë më shumë insulinë dhe kjo e fundit nxit artificialisht absorbimin qelizor të tyre. Krijohet kështu sërish një gjendje hipoglicemie që shfaqet edhe me ndjesinë e gjumit pas buke. Meqënëse insulina stimulon edhe absorbimin e kaliumit në nivelin qelizor, rënia e koncentrimit të tij në qarkullim shkakton ndjesinë e lodhjes muskolare dhe nevojën për pushim.

Mirëpo gjumëndjellja e pasbukës është karakteristikë edhe e personave që ruajnë nivele fiziologjikë të gliçemisë dhe të insulinës në gjak dhe numri i rasteve nuk hyn në ato përjashtime që vërtetojnë rregullin, por është më i konsiderueshëm. Për këtë arësye shumë kërkuesë i vënë gishtin rritjes së nivelit të triptofanit në gjak pas një vakti me ushqime kryessht të pasur me karboidrate. Rritja e nivelit të triptofanit në gjak dhe, për rrjedhojë, edhe në tru, sjell rritjen e nivelit të serotoninës dhe të melatoninës, dy substanca të njoura për favorizimin që i bëjnë ndjelljes së gjumit.

Një tjetër hipotezë akoma është ajo e rënies së nivelit të tonit të sistemit neurovegjetativ simpatik dhe rritjes së nivelit të tonit të atij parasimpatik. Kjo sjell si pasojë gjumëndjelljen. Është një hipotezë më e pranueshme pasi verifikohet se ndër personat që normalisht kanë gjumëndjellje pas buke, një gjendje alarmi apo shqetësimi ua prish “zakonin”e, dihet, gjendje të tilla kanë si mediator sistemin simpatik.

Është shumë e mundur që në persona të ndryshëm të veprojnë arësye të ndryshme, ndër të cilat, këto që përmendëm më sipër. Edhe pse nuk përbën asnjë lloj patologjie, gjumndjellja postprandiale është një fushë kërkimi me interes pasi shihet e lidhur me proçeset e tretjes dhe proçeset dhe sëmundjet metabolike si diabeti, etj..