Gjermani – Turqi me “shpata” të ngrehura

Gjermania dhe Turqia kanë arritur nivelin më të ulët të marrëdhënieve midis tyre që pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Prej kohësh të dy vendet po shkojnë në mënyrë të pashmangshme drejt një përkeqësimi gjithnjë e më të madh të këtyre marrëdhënieve, edhe pse diplomacia e nëndheshme bën çështë e mundur të qepë natën atë çka shqepet ditën nga Presidenti i pafrenueshëm turk Recep Tayyp Erdogan. E fundit (“por jo e fundit”), pas reagimeve të ndjeshme nga ana e Gjermanisë lidhur me arrestmin e aktivistëve të të drejtave të njeriut në ishullin e Buyukadasë, midis të cilëve vetëm një ishte me origjinë gjermane, ishte Erdogan ai që i hodhi sërish benzinë zjarrit: “dua t’ju them miqve të mi gjermanë dhe botës së tërë se ju nuk jeni aq të fortë për të shpifur për Turqinë dhe se nuk do të jenë kurrë aq të fortë sa për të na trembur”.

Kohët e fundit janë përhapur lajme sikur Daimler dhe BASF mund të jenë nën hetim në Turqi për “lidhje të dyshimta” me terrorizmin brenda vendit, me të cilin regjimi nënkupton ndjekësit e organizatës “Feto” të “golpistit” Fetullah Gulen.

“Dënoj më forcë – vazhdoi Erdogan – deklaratat që synojnë të trembin sipërmarrjet që investojnë në vendin tonë. Drejtësia turke është më e pavarur se ajo gjermane. Edhe alarmi mbi rreziqet që u dalin përpara turistëve gjermanë është pa asnjë bazë”.

T’i besosh Erdoganit do të thotë të llogaritësh se do të ndodhë e kundërta e asaj që shpesh thotë. E nuk vonoi që Gjykata e Istambulit të pranojë apelin e Prokurës për të mos lënë të lirë dhjetë aktivistët e Amnesty International të arrestuar me akuzën absurde “për kryerjen e akteve kriminale për llogari të një organizate terroriste pa qënë anëtarë”.

Rasti i Erdogan është tipik ai që shkon përshtat shprehjes së urtë shqiptare “Dhi e krimbur e bishtin përpjetë”:
Gjemania është përtneri i parë tregëtar i Turqisë në BE dhe njëkohësisht aleat në NATO. Një prishje reale e jo vetëm në nivelin e deklaratave propagandistike, e marrëdhënieve substanciale midis të dy vendeve, mund të ketë pasoja për një kohë të gjatë për Turqinë.
Ministri gjerman i Financave Wolfgang Scheuble e krahësoi Turqinë e sotme me DDR e djeshme të epokës sovjetike: “Kryen arrestime ilegale dhe nuk mban as standartet minimalë konsullorë. Për turistët gjermanë nuk ka më garanci sigurie: nëse u ndodh gjë, askush nuk mund t’i ndihmojë”.

Pas kësaj deklarate është e qartë se si mund të ndryshojë fluksi i mijëra sipërmarrjeve dhe milona turistëve që zgjedhin Turqinë për të bërë pushimet. Tensionet më të fundit kanë modifikuar shumë opinionet në Gjermani; afërsisht tre të katërtat e gjermanëve e konsiderojnë sot Turqinë një vend të rrezikshëm. Të mos harrojmë se vitin e kaluar Turqia humbi në total 10 milionë turistë të huaj, afërsisht një të tretën e numrit mesatar të turistëve që e kanë vizituar atë çdo vit në dhjetëvjeçarin e fundit.

Është e qartë, Gjermania nuk do të donte aspak një situatë në të cilën t’i propozohet e t’i kërkohet që turistë gjemanë të “marrë peng” me çfarëdolloj akuzash fallso nga ana e regjimit të Erdoganit të shkëmbehen me ushtarakët turq të strehuar në Gjermani pas grushtit të shtetit të vitit të kaluar.

Kjo klimë e pafavorshme përfshin, për shumë arësye, edhe BE-në. Deri më tani Unioni është kufizuar të prononcohet vetëm mbi ngrirjen e negoziatave, tashmë të stërzgjatura, të integrimit të Turqisë në BE. Brukseli nuk do të donte t’i jepte një shtytje përfundimtare Turqisë drejt Azisë dhe autoritarizmit (!!!), ndaj po mat hapat që janë për t’u hedhur në drejtim të Turqisë. “Nuk do të lejojmë shantazhet, u shpreh komisari për zgjerimin Johannes Hahn – ngaqë situata në drejtim të Ballkanit e të Egjeut nuk është më ajo e 2015-tës”. Mirëpo Berlini duket se do të ndjekë një politikë të vetën në drejtim të Turqisë, në përgjigje të së njejtës gjuhë me të cilën Turqia kërkon t’i imponohet. Janë gati planet për tërheqjen e të gjitha garancive financiare për investimet e sipërmarrjeve gjermane në Turqi si dhe bllokimi i të gjitha furnizimeve me armë gjermane si dhe masa të tjera që Berlini po përgatit ndërkohë. Me sa duket, Erdogan nuk kupton një gjuhë tjetër. U pa kjo edhe në marrëdhëniet me Rusinë, kur ai vajti si pulë e lagur në Moskë, për të ndrequr gafat e mëdha që kish bërë në drejtim të Rusisë së Putinit, pas rrëzimit të avionit rus në Siri nga ana e forcave ajrore turke. Pas kësaj ngjarjeje, Rusia i preu rrugët e eksportit të mallrave turke dhe pengoi seriozisht vërshimin e turistëve rusë në Turqi. Dëmet ekonomike ishin të pallogaritshme dhe Erdogan, pa pikë turpi, u gjunjëzua para Carit “modern” të Kremlinit.

Impakt.al