Gazetari dhe shkrimtari Bashkim Hoxha, feston 64 vjetorin duke mbjellë 100 pemë në Pyllin Orbital

Bashkim Hoxha, gazetari dhe shkrimtari i njohur, sot zgjodhi ta festojnë ndryshe 64-vjetorin e tij. Me të mbaruar emisionin e mëngjesit “Koha për t’u zgjuar”, të cilin e drejton prej më shumë se 20 vitesh dhe ku qytetarët shqiptarë shprehin problematikat e tyre, vrapoi t’i bashkohej aksionit për mbjelljen e 100 pemëve të reja pranë nënkalimit Mjull-Bathore. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e vlerësoi gjestin e tij, si një detyrë qytetare, e cila së pari jep shembullin e mirë për të kontribuar në më shumë ajër të pastër për fëmijët e kryeqytetit.

Gazetari Bashkim Hoxha përshëndeti nismën e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, si një garanci për të ardhmen e brezave. “Është një ditë e veçantë për mua. Është ditëlindja ime dhe gjëja më e mirë dhe më simbolike është pikërisht të mbjellësh një pemë për të ardhmen sepse ditëlindja, në moshën time, numëron vitet që ikin. Pikërisht, në këtë ikje vitesh, mbjellja e një peme për të nesërmen bëhet akoma më e domosdoshme dhe është një iniciativë që unë e përshëndes me gjithë shpirt”, tha Hoxha.

Pylli Orbital, i njohur ndryshe edhe si unaza e 5-të e Tiranës, sjell mbjelljen e një muri të gjelbër me 2 milionë pemë dhe lidh 14.671 hektarë parqe, fusha bujqësore, pyje dhe forma të tjera të vegjetacionit rreth qytetit, duke ndikuar jo vetëm në përmirësimin e anës estetike të qytetit, por edhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit për qytetarët.