FYROM drejt çmitizimit, por edhe hapjes

 

FYROM (ose siç quhet shkurt Maqedonia) po zhvishet nga zakoni për të bërë të vetën historinë e fqinjëve; në kuadrin e gjetjes së një pike takimi lidhur me emrin e republikës së vogël ballkanike, pengesë kryesore për integrimin e saj në BE e në NATO, kryeministri i ri Zoran Zaev paralajmëroi marrjen e një sërë masave që synojnë zhveshjen e këtij vendi nga mitet e huazuar prej historisë dhe kulturës së vendeve fqinjë, siç është miti i Aleksandrit të Madh, enri i të cilit i ishtë vënë aeroportit, shesheve dhe rrugëve kryesore në vend gjatë qeverisjes së nacionalistëve populistë. Takimi në Davos, i dy kryeministrave, atij të FYROM Zoran Zaev dhe atij Greqisë Aleksis Tzipras, përfundoi me rezultate konkrete, teksa Zoran Zaev ka deklaruar se do të ndryshojë emrin e aeroportit të Shkupit, dhe të autostradës.

“Me qëllim që të tregojmë konkretisht se jemi të përkushtuar në procesin e gjetjes së zgjidhjes, paralajmëroj se qeveria do të ndërrojë emrin e aeroportit dhe të autostradës. Autostrada do të quhet “Miqësi”. Kjo është dëshmi për faktin se nuk kemi aspirata territoriale ndaj fqinjit tonë”, deklaroi Zoran Zaev.

Ndërkohë, Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tzipras, tha se ka ardhur koha që mes vendeve të gjenden zgjidhje konkrete për të gjitha çështjet.

“Duhet doemos të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura, me qëllim që të realizohet ajo që kërkon fqinji jonë, asocim në BE dhe anëtarësim në NATO.

Prandaj, duhet të gjejmë zgjidhje të përbashkët të pranueshme”, u shpreh kreu i qeverisë greke.

Nevojën e hapjes së një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve e theksuan të dy kryeministrat gjatë takimit. Përtej deklaratave të tilla, është mëse e nevojshme për FYROM të dalë nga qorrsokaku ku e futën qeverisja e forcave nacionaliste e Guevskit dhe ku tenton ta mbajë ende qëndrimi obstruktiv i Pesidentit të saj aktual. Para ardhjes së Zaev në krye të qeverisë maqedonase, Maqedonia krijoi rreth saj një klimë vetëizolimi me pothuajse të gjithë fqinjët, për shkak të mbylljes ndaj Bullgarisë, mospajtimit për emrin e shtetit nga ana e Greqisë (Maqedoni është emri i një njësie të tërë politiko-administrative e Greqisë Veriore), marrëdhëniet oshilante me Shqipërinë dhe Kosovën për shkak të mosrespektimit të të drejtave që burojnë nga karakteri shtetformues i popullsisë shqiptare në këtë vend.

Kryeministri aktual Zaev po ndërmerr hapa konkretë për hapjen e vendit ndaj Europës dhe NATO-s duke përmirësuar ndjeshëm marrëdhëniet me Bullgarinë dhe Greqinë, anëtare si të BE-së dhe të NATO-s, si dhe me botën shqiptare përreth, me përmirësimin e statusit dhe të përfaqësimit të popullsisë shqiptare që jeton në atë vend.