Ermal Meta dhe Fabrizio Moro fitojnë “Sanremo 2018”

Ermal Meta arriti të rrëmbente trofeun e “Sanremo 2018″, bashkë me kolegun e tij Fabrizio Moro me këngën “Non mi avete fatto niente”.

Mes emocioneve të mëdha, këngëtari shqiptar nuk i fshehu kurrsesi emocionet në skenë, që tani do të përfaqësojë Italinë në Eurovizion i cili do të mbahet në muajin maj në Portugali.

“Është emocion i papërshkrueshëm. Çmimin ia kushtoj shtëpisë time diskografike që ka besuar te unë atëherë kur askush tjetër nuk besonte”, tha Meta,

Edicioni i 68-të i festivalit të këngës në Itali, Sanremo, është ngjarja më e rëndësishme e muzikës në vendin fqinj. Një festë muzikore 5 ditore e cila filloi në datën 6 shkurt dhe u mbyll mbrëmjen e datës 10 shkurt me finalen e madhe e cila zgjati më shumë se 4 orë.

Meta dhe Moro e shkruajtën tekstin e këngës së tyre pas atentatit në Manchester, në koncertin e yllit amerikan të pop-it Ariana Grande. Ditët e fundit, kënga ishte në qendër të polemikave sepse akuzohej për shkelje të rregullave të Festivalit, për shkak se kishte ngjashmëri me një këngë të prezantuar në vitin 2016, autor i së cilës ishte Moro.

Në fund produksioni vendosi që “Non mi avete fatto niente” mund të vijonte garën. Për të dy artistët kjo ishte hera e parë që fitonin çmimin e madh në Festivalin e Sanremos.

 

https://www.youtube.com/watch?v=R0NF8BZlH4I