Erdogan – Ky Harbut i Bosforit

Çmenduria e rradhës e Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan: ai përkufizon refuzimin nga ana e disa landeve gjermanë për të zhvilluar mitingje të ministrave turq me komunitetin turk të madh në numër që jeton në Gjermani, si politikë naziste (!). Ai madje e kërcënoi Gjermaninë se do t’i përgjigjet këtij qëndrimi (!!!).

Ngritja e toneve dhe akuza të tilla ndaj Gjermanisë nga ana e Erdogan ka vetëm një qëllim: të sensibilizojë dhe të irritojë opinionin turk  për ta kthyer me doemos atë pas vetes në referendumin e Prillit të këtij viti, i cili do të vendosë ose do të rrëzojë ndryshimet kushtetuese për kthimin e Republikës turke nga një republikë parlamentare që funksionon qysh prej vitit 1923,  në një republikë presidenciale, në të cilën Presidenti (kuptohet, Erdogan), do të ketë në dorë gjithçka, shtetin, ekonominë, ushtrinë, organet e sigurisë dhe financat.

Që pas ardhjes në pushtet, Erdogan në mënyrë të shkallëzuar po çmonton gjithë trashëgiminë e të madhit Ataturk, themelues i Turqisë moderne.

Por sa më të ashpra që bëhen tonet e Erdogan, as më shumë kuptohet se sa të vështirë e ka ai të arrijë një qëllim të tillë.

Etja për pushtet absolut e bën Erdogan të harbutizojë herëpasëhere retorikën e tij, edhe pa një fjalor të tillë, tejet të fryrë e të mbushur me elementë nacionalistë.

Kjo sindromë e presidentit turk e nxjerr atë si një person emotivisht dhe psikikisht jo stabël dhe të pabesueshëm si një interlokutor ndërkombëtar.  Absurditeti i fundit i tij:

“Nëse dua të vij në Gjermani, e bëj. Dhe nëse ju nuk më lejoni të hyj nëpërmjet portave tuaja apo më ndaloni të mbaj një fjalim, atëherë do të ngre botën në këmbë”.

Se cilën botë do të ngrejë në këmbë zoti Erdogan, e di vetëm ai, pasi bota që e ka mendjen në vend mund të bëjë vetëm durim të dëgjojë klithmat e një të marri, por nuk mund t’i shkojë pas atij. Bota me mend, përfshirë botën turke të emancipuar, mund vetëm të tallet me deklaratat e Erdogan.  Erdogan ka forcë vetëm të ngrejë një xhami me katër minare në qendër të Tiranës, por nuk ka forcë as të bindë “mikun e tij”, “vëllain e tij”, kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama që të çmontojë institutet e shumta të zotit Gulen brenda territorit të Shqipërisë. Sepse këto institute i kanë shërbyer deri më tani mirëedukimit bashkëkohor të shqiptarëve të rinj dhe asnjë në Shqipëri (përveç dy tre qemoneve të njohura të Erdoganit), nuk do të ishte pro mbylljes së tyre. Në shqip ka një fjalë që i përshtatet shumë mirë harbutërisë së Erdogan: “ai ka forcë vetëm të pjerdhë!”.

Të akuzosh sot Gjermaninë, një ndër vendet më  demokratikë të planetit,  si një vend që praktikon nazizmin, është me të vërtetëdiçka që shkon përtej çdo arësyeje normale, politikisht e papranueshme dhe e pajustifikueshme. Është një deklaratë e pandreqshme!

Erdogan po përpiqet të çmontojë bazat mbi të cilat janë ndërtuar në dhjetëvjeçarë marrëdhëniet miqësore midis popullit turk dhe atij mikpritës gjerman. Komuniteti numeroz turk në Gjermani është dëshmitar i afërt i zhvillimit të Gjermanisë si një vend demokratik, civil, ligjor e me një spektër të gjerë e të konsoliduar të afirmimit të të drejtave të njeriut. Janë të shumtë hebrejtë gjermanë dhe pasardhësit e tyre,  komuniteti objekt i shfarosjes së planifikuar nga ana e Rajhut të Tretë, që prej dekadash janë rikthyer në Gjermani dhe jetojnë e punojnë normalisht atje në të mirë të prosperitetit të vetes e të familjes së tyre e në të mirë të Gjermanisë demokratike. Nuk do të kishte qënë kështu nëse në Gjermani do të vazhdohej me zbatimin sadopak të politikave naziste.

Është e qartë se ndërsa Erdogan po bën të pamundurën të akaparojë të gjithë pushtetet në duart e tij brendapërbrenda Turqisë, komuniteti ndërkombëtar  ka gjithnjë e më shumë përpara një personazh të pabesueshëm, jo stabël psikikisht dhe të  paparashikueshëm politikisht.

Është koha që komuniteti ndërkombëtar të veprojë, nga njëra anë siç bëri me urtësi Ministri i Jashtëm gjerman, Gabriel, i cili deklaroi se “Ne nuk guxojmë të prishim bazën e raporteve tona të mira”, e nga ana tjetër të inçentivojë më shumë e më mirë politikisht, moralisht dhe jo vetëm, forcat progresiste, kemaliste,  në Turqi. Është koha që ndaj Turqisë të rritet presioni ndërkombëtar për shumë zhvillime të brendshme të saj që janë gjithnjë e më larg konceptit të shtetit ligjor e demokratik. Është koha e afirmimit ndërkombëtar të çështjes kurde në Turqi, një çështje e mprehtë që prek një të katërtën e popullsisë dhe një të katërtën e territorit shtetëror turk. Është koha që Turqia, ky vend i madh dhe i rëndësishëm në Mesdhe, ky vend anëtar i NATO-s, të kuptojë se historia e mëtejshme e saj nuk mund të shkruhet nga personazhe skomodë, në të gjithë senset, siç është presidenti aktual i saj.