Dritëshkurtësia e “revolucionarit” Mahmoud Abbas

 

Këto ditë, ndërsa zëvendëspresidenti i SHBA Pense vizitoi Jerusalemin, vizitë gjatë së cilës theksoi disa herë kenaqësinë e veçantë të tij dhe të administratës amerikane për praninë e tij si mik i shquar në Jerusalem, kryeqytet unik e i përhershëm i Izraelit, kreu i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas shmangu qëllimisht takimin tête-à-tête me Pense duke sajuar nxitimthi një vizitë në  Bruksel. Në këtë mënyrë, Abbas mban “premtimin” e tij se nuk do të konsiderojë më SHBA si ndërmjetësues të Procesit të Paqes, pas vendimit të Trump për të spostuar selinë e Ambasadës së SHBA nga Tel Avivi në Jerusalem.

Në Bruksel, Mahmoud Abbas kërkoi me ngulm, as më shumë e as më pak, por njohjen “ e menjëhershme” të shtetit palestinez nga ana e BE-së.

Vizita e Mahmoud Abbas në Bruksel gjeti kuptueshmëri të gjendjes nevrotike dhe frikës e tij për gjendjen e mjeruar të Autoritetit Palestinez e sidomos të  financave të tij, pas shtrëngimit të rripit që u bëri administrata Trump fondeve gjeneroze që gjer më tani SHBA kanë paguar çdo vit për mbajtjen në këmbë të administratës super të korruptuar palestineze në Territoret. Në neurozë të plotë, Abbas vuri qesharakisht në pjatën e bisedimeve të improvizuara me eksponentët e BE-së, midis të cilëve me Federica Mogherini (shefe e politikës së jashtëme të BE), “njohjen e menjëhershme të shtetit palestinez”, me qëllimin e qartë për të rritur paksa piacën, domethënë fondet shtesë që europianët  do të duhej të paguajnë për Autoritetin Palestinez, në kompensim të shkurtimeve që do të pësojnë ato amerikane (sipas modelit “kërko shumë të marrësh pak”). Qëllim që, edhe pse pjesërisht, e arriti; Unioni do t’i lëvrojë Autoritetit Palestinez 300 milionë Euro në fund të këtij muaji.

Përsa i përket njohjes së “menjëhershme” të shtetit të Palestinës, përgjigjia e europianëve nuk mund të ishte veçse e mjegullt, konfuze dhe shumë “diplomatike” njëkohësisht. Me pak fjalë, siç do të thuhej shqip, “merr këto para se për të tjerat ke vetëm një shkelm të lehtë bythëve”. Sjellje tipike europiane, ngaqë BE, për mënyrën e komplikuar të vendimmarrjes dhe për inkoherencën tradicionale të saj, nuk ka as këllqet e as dëshirën të zëvendësojë SHBA në bisedimet izraeliano-palestineze për paqen. BE nuk ofron garancitë incizive në tavolinën e bisedimeve, garanci që sot e në perspektivë ofron vetëm SHBA.

Për hir të së vërtetës historike, BE nuk ka qënë asnjëherë inciziv as në konfliktet e armatosur brenda territorit europian në 30 vjetët e fundit (konflikti i gjatë në ish Jugosllavi) e jo më të jetë faktor determinues në një konflikt kaq të gjatë e kompleks si ai izraeliano-palestinez ku ka luajtur gjithnjë rolin e koristit, shpesh kakofonik, të SHBA.

I qartë për këtë kontekst, Mahmoud Abbas tërheq vëmendjen e OKB-së, Rusisë, Kinës, si palë që, sipas tij,  duhet të jenë faktorë ndërmjetësues të procesit të paqes midis dy palëve. Edhe njëherë tjetër, Abbas luan keq kartën e numrave dhe po aq keq edhe kartën e inspiruesëve ideologjikë të tij (të mos harrojmë se Abbas është produkt i shkollës sovjetike dhe i rrymës së negacionizmit). Shprehje  e dëshpërimit të plotë të “udhëheqësit” palestinez, i cili në territoret palestineze nuk ka më asnjë autoritet të mirëfilltë, për shkak të korrupsionit që ka pushtuar atë vetë dhe administratën e udhëhequer prej tij (vila shumëmilionëshe e Mahmoud Abasit në Ramallah flet vetë qartë për këtë).

Prej vitesh inteligjenca palestineze, e mirëkualifikuar nga pikpamja arsimore, si brenda e jashtë Territoreve, por e përjashtuar nga Autoriteti i Abbas për shkak të ideve të saj progresiste dhe paqedashëse, i bën të njohur publikut palestinez dhe arab në tërësi nivelin e ulët politik dhe intelektual të përgjigjeve të Mahmoud Abbas ndaj dinamikave dhe propozimeve izraeliane. Prej vitesh kjo inteligjencë ndjehet e frustruar nga paaftësia intelektive e “udhëheqësit” i cili përballë dinamizmit të Netanyahut duket si një papagall që shqipton doemos të kundërtën e asaj që dëgjon me veshët e të tjerëve. Më tej, Abbas nuk mundi as të unifikojë politikisht fraksionet e shumta palestineze, si brenda partisë së tij, Al Fatahut, ashtu edhe jashtë saj, sidomos lidhur me Hamasin që edhe pse me popullaritet në rënie të lirë, gjithsesi qeveris prej vitesh në Gaza. Abbas nuk mundi as ta përhapë në territoret e tjerë palestinezë modelin e qeverisjes sociale që Hamas aplikoi në vitet e parë të qeverisjes në Gaza, ngaqë niveli i korruposionit në Ramallah  është tepër i lartë (por tashmë edhe në rradhët e Hamasit ka një korrupsion galopant). “Afrimi” i kohëve të fundit midis Al Fatahut dhe Hamasit është vetëm për qëllime oportuniste dhe jo strategjike.

Në këto kushte, si mund të përfaqësojë një politikan i lodhur, i konsumuar e i korruptuar si Mahmoud Abbas çështjen palestineze pranë palëve të treta? Sa forcë ka një personazh i tillë të defaktorizojë SHBA në procesin e paqes? Më në fund, a është kjo dëshira reale e palestinezëve? Një observim objektiv i situatës në Territoret palestineze të nxjerr në konkluzionin se edhe këtë rradhë, udhëheqja filoruse abbasiane e Autoritetit Palestinez, nuk përfaqëson as kahjen politike e as vullnetin dhe nivelin politiko-kulturor të shoqërisë palestineze.

Abbas nuk ka ndërmarrë asnjë reformë brenda Territoreve, as në planin e organizimit urban e rural e as në planin ekonomiko-social. Ekonomia e Territoreve, sidomos ajo e familieve palestineze, mbahet në këmbë falë punësimit të mijëra e mijëra palestinezëve në ndërmarrjet izraeliane dhe remitancave nga emigracioni; urbanizimi është krejt i prapambetur, shëndetësia mos më keq, shërbimet publike një skandal i vërtetë. E gjithë kjo, jo ngaqë mungojnë fondet, por ngaqë ato devijohen në xhepat e funksionarëve të niveleve të ndryshëm të Autoritetit. Abbas e të tjerë si ai përdorin gjithnjë si alibi “pushtimin izraelian” për moszhvillimin e Territoreve, por kjo përrallë tashmë është e vjetër e palestinezët nuk kanë më asnjë dëshirë ta dëgjojnë më. Një shëmbull për këtë është shëndetësia: me fondet që Autoriteti ka marrë nga shumë palë për riorganizimin dhe modernizimin e sektorit publik të shëndetësisë sot palestinezët duhet të kishin në dispozicion spitale dhe struktura sanitare të klasës së parë, por në realitet kanë vetëm struktura gjysmë të rrënuara dhe shërbime që shpesh krijojnë probleme shëndeti më shumë se sa i kurojnë ato.

Një ndër fondet që administrata Trump vendosi t’i ndërpresë Autoritetit palestinez është ai për refugjatët palestinezë. Me të drejtë në Washington gjykojnë se 70 vjet më pas, nuk mund të flitet më për refugjatë, përveç faktit të dëshmuar se një pjesë e mirë e këtyre fondeve përdoren për të mbajtur në këmbë familjet e “martirëve”, domethënë të atyre që kanë vdekur apo që qëndrojnë në burgjet izraeliane, për shkak se kanë kryer akte terroriste në territoret izraeliane dhe gjetkë. Me fonde amerikane, Autoriteti Palestinez mban gjallë frymën e urrejtjes e të terrorizmit!

Nuk është vendimi i administratës Trump për të shpërngulur në Jerusalem Ambasadën e SHBA, duke njohur kështu Jerusalemin si kryeqytet unik të Izraelit që shqetëson realisht  zotin Abbas. Për këtë ai ishte i qartë që në fillim, ngaqë vendimi i Trump nuk ishte vetëtimë në qiell të kaltër, por aktëzim i vendimeve të mëparshëm të Kongresit amerikan lidhur me këtë çështje. Përveç së drejtës historike, lidhur me faktin se Jerusalemi është qyteti i shenjtë i themeluar nga izraelitët, të drejtës sovrane të organizmit të Shtetit modern të Izraelit, vetë zhvillimet demografike e urbane brenda qytetit të të tre besimeve monoteiste,  bëjnë të mundur sot realizimin e këtij objektivi. Çështja e Jerusalemit është një tjetër alibi e Mahmoud Abbas për të tërhequr vëmendjen nga gjendja e mjeruar në të cilën i kanë çuar Territoret e banuara nga palestinezët udhëheqja e tij personale dhe e  Autoritetit Palestinez të manipuluar prej tij.

“Politika” e defaktorizimit të SHBA në proçesin e Paqes në Lindjen e Mesme që lideri palestinez Mahmoud Abbas po ndjek është një “politikë” dritshkurtër dhe e mjeruar; është kundërprodhuese për vetë të sotmen dhe të ardhmen e proçesit të paqes izraeliano-palestineze. Mahmoud Abbas bën “politikë” nga pozicione të qarta  antipolitike si në planin personal, ashtu edhe në planin e forcës dhe Autoritetit që përfaqëson.

Brenda udhëheqjes palestineze ka natyrisht politikanë objektivë që mendojnë ndryshe e që udhëhiqen nga sensi realist i gjërave. E sensi realist i gjërave shikon të ardhmen e popullsisë palestineze vetëm në raport me zhvillimet reale demokratike të asaj shoqërie, me zhvillimin ekonomik, social e kulturor, me zhbërjen e frymës së urrejtjes dhe ndërtimin e frymës së paqes e bashkëpunimit, me pranimin hapur e pa rezerva të Izraelit jo vetëm si realitet politiko-shtetëror, por edhe si forcë tërheqëse e zhvillimeve demokratike e progresive në tërë rajonin e trazuar të Lindjes së Mesme.