Dr. Flutura Proko: Kanceri i gjirit nuk duhet t’ju trembë, po rritet mbijetesa ndaj tij

Flet mjekja onkologe, Flutura Proko: Femrat nuk duhet të kenë frikë, pasi edhe nëse diagnostikohen me këtë sëmundje, mund të kurohen

 

Prej vitesh, ajo përballet me paciente që janë diagnostikuar me kancerin e gjirit. Në përditshmërinë e saj, ajo ndeshet dhe e lufton së bashku me to këtë sëmundje. Duke dhënë më të mirën nga vetja, në përpjekjen e vazhdueshme, që t’i bëjë të kuptojnë se ajo jo vetëm kurohet, por edhe se mund t’i mbijetosh me sukses… Pikërisht, një mesazh të tillë, mjekja kimioteraupete, Flutura Proko, e jep edhe gjatë kësaj interviste. “Duke qenë se kanceri i gjirit është në rritje, duhet që të gjitha femrat të ndërgjegjësohen dhe të bëjnë gjithë kontrollet e duhura”, apelon ajo mes të tjerash, në kuadrin e muajit tetor, i cili dihet nga të gjithë se është një muaj sensibilizues për sëmundjen në fjalë. Por duke lançuar në të njëjtën kohë, edhe mesazhe mjaft njerëzore, që u vijnë në ndihmë të gjitha femrave. Gjithçka, në emër të luftës kundër kancerit të gjirit, në ndihmë të jetës…

 

***

 

Zonja Proko. Jemi në muajin tetor, kur nga të gjithë njihet si “Muaji i Kancerit të Gjirit”. Çfarë do të thotë në të vërtetë ky muaj?

Muaji tetor, dihet tashmë nga të gjithë, është muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, me fjongon rozë, që simbolizon femrën, optimizmin dhe shpresën. Ky muaj shërben për rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit. Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë te femra. Incidenca e tij është në rritje nga viti në vit, si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe ato në zhvillim. Po shihet një rritje e incidencës në moshat e reja. Ndërgjegjësimi për kontrollet periodike, qoftë vetë ekzaminimi, apo ekzaminimi klinik bën të mundur diagnostikimin e hershëm të tij kur është i trajtueshëm. Muaji tetor bën diferencë, pasi bën të mundur përhapjen e fjalës mbi mamografinë dhe inkurajon komunitete, organizata, familjare dhe individë që të përfshihen në sensibilizim. Gjatë këtij muaji, por jo vetëm, femrat inkurajohen që të kryejnë ekzaminime të rregullta në lidhje me gjirin. Çdo femër pa përjashtim, duke filluar nga mosha 20 vjeç, duhet të kryejë vetë ekzaminimin e gjirit që të njihen me strukturën e tij. Fatmirësisht, ai është një organ i jashtëm dhe mundësia për ta diagnostikuar herët është kura më e mirë. Një herë në tre vjet duhet të bëjnë ekzaminimin klinik. Të gjitha gratë e moshës 40-49 vjeç inkurajohen që të flasin me mjekët për kohen e bërjes së mamografisë. Ndërkohë që, ekoja e gjirit nuk është një ekzaminim i dëmshëm, nuk ka rrezatim, kështu që mund të bëhet sa herë është e nevojshme, sa herë që një mjek e rekomandon, apo sa herë që tek gjiri vihet re një nodus, apo një ndryshim.

Në fakt, faktorë të drejtpërdrejtë të kancerit të gjirit nuk njihen, por akuzohen disa që mund të ndikojnë në rritjen e incidencës së kësaj diagnoze, siç është menarka e hershme, menopauza e vonshme, lindja e vonshme ose moslindja, obeziteti, stili i jetesës, faktori genetik, përdorimi i hormon-terapive, etj. Dhe nëse ne i shmangim këta faktorë sa mundemi, mendohet se mund të ulim edhe incidencën për t’u prekur prej tij.

Pjesa më e madhe e pacienteve, e zbulojnë vetë kancerin e gjirit. Ndaj edhe sensibilizimi në muajin tetor është më i madh, jo si në pjesët e tjera të vitit, në mënyrë të tillë që femrat të bëhen më të ndërgjegjshme për ta kapur në kohë këtë sëmundje. E duke qenë se kanceri i gjirit është në rritje, duhet që të gjitha femrat të ndërgjegjësohen dhe të bëjnë gjithë kontrollet e duhura.

 

Si një mjeke e cila prej vitesh trajton mjaft paciente me këtë diagnozë, a mund të na thoni diçka për momentin e përballjes së parë me sëmundjen? Si e përjetojnë pacientet?

Diagnostikimi me një diagnozë kancer gjiri apo çdo lloj tjetër tumori nuk është e lehtë. Marrja e një diagnoze të tillë përjetohet me stres, frikë, apo si gjëja më e keqe që mund t’u ndodhë atyre. Gjëja e parë që ato mendojnë fillimisht është “Përse pikërisht mua…”. Përjetimi i një diagnoze të tillë për secilin pacient është i formave të ndryshme. Përveç frikës për të ardhmen, u duhet të shqetësohen edhe për shumë gjëra të tjera për shembull gjendjen financiare, familjaret, fëmijët, të qenët vetëm, etj, shqetësime këto që ne si mjeke përpiqemi t’i minimizojmë, duke e bërë të qartë që sëmundja mund të kurohet shumë mirë, nëse ato e pranojnë dhe bashkëpunojnë me mjekët.

 

Çfarë këshillash konkrete u jepni pacienteve? Si u gjendeni pranë atyre në përballimin e sëmundjes?

I këshillojmë që duhet ta pranojnë diagnozën e tyre. Të mësohen me këtë sëmundje. Është një sëmundje, e cila tashmë është kronike, jo akute (vetëm në rastet kur diagnostikohet në stadet e avancuara), është një sëmundje, e cila mund të trajtohet shumë mirë, sidomos kur diagnostikohet në stadet e hershme, por edhe ato të avancuara, ku mbijetesa është rritur pas viteve ’90, për shkak të diagnozës së hershme, por edhe të progresit që është bërë në lidhje me trajtimin e kësaj sëmundje.

Realisht, i këshilloj pacientet se tani është koha që të kenë më shumë shpresë dhe të përballen me këtë diagnozë. Një pjesë e tyre zbulojnë edhe karakterin e tyre të fortë, që mendonin se nuk e kishin. Këshillat nga ana jonë janë të vazhdueshme, që ato duhet të paraqiten në kohën e duhur të trajtimit, të mos e marrin me frikë diagnozën, të jetojnë jetën e tyre ashtu siç e kanë jetuar para marrjes së një diagnoze të tillë, të shëtisin, të jetojnë një jetë normale, në varësi të mundësive fizike, pasi gjatë kohës së trajtimit ato mund të kenë efekte anësore, të cilat mund t’i privojnë nga disa aktivitete ditore që i kanë bërë më përpara diagnozës. Sigurisht që është e vështirë, por me mbështetjen e familjarëve dhe bashkëpunimin tonë, e sigurisht kurajën e tyre, pacientet, ia dalin.

 

Por a ka edhe raste kur pacientet heqin dorë nga trajtimi?

Në vitet e tanishme jo, nuk kemi patur raste të tilla. Por në vitet e mëparshme, po, të tilla që vendosnin të mos trajtoheshin. Por falë medias, sensibilizimi tashmë është shumë i madh dhe sigurisht që pacientet janë më të ndërgjegjësuara që me pranimin e trajtimit, shanset për të mbijetuar i kanë më të larta.

 

Onkologjia shqiptare, aktualisht, a mund të thuhet se është në të njëjtin stad me atë evropiane?

Po. Të njëjtën terapi që një paciente me kancer gjiri mund ta marrë në vendet perëndimore apo kudo jashtë vendit, e merr edhe në vendin tonë. Aktualisht, në shërbimin tonë, punohet në bazë të protokolleve evropiane dhe amerikane. Sigurisht, edhe me praninë e të gjitha medikamenteve të duhura, është shumë e lehtë për t’i zbatuar ato.

 

Keni paciente që i keni kuruar, tani janë shëruar dhe i keni kontaktuar? Si jetojnë ato tani?

Po. Dhe kanë një jetesë shumë normale. E një nga këshillat që unë u rekomandoj në tërësi të gjitha pacienteve, është që ato ta jetojnë jetën e tyre normalisht, edhe gjatë kohës që janë në terapi, por edhe më pas, kur i kanë mbaruar procedurat e trajtimit dhe vazhdojnë kontrollet periodike tek mjeku. Duhet të vazhdojnë një jetë normale, absolutisht. Përballja e parë me diagnozën është pak traumatike, por më pas ato arrijnë të rikuperohen, të rehabilitohen dhe të jetojnë normalisht.

 

Diçka edhe për riskun e kthimit të kësaj sëmundje…

Risku i rikthimit të sëmundjes është më i lartë gjatë dy viteve të para, prandaj dhe kontrolli periodik i pacienteve është më i shpeshtë gjatë këtyre viteve. Rikthimi i sëmundjes mund të jetë në vendin primar të saj, në gjirin tjetër, ose në pjesë të tjera të organizmit. Në të dyja rastet, konsiderohet si stad i avancuar i sëmundjes, i njohur si stadi i katërt. Çdo paciente, mbas trajtimit për kancerin e gjirit ndihet e shqetësuar për rikthimin e sëmundjes. Çdo shqetësim i vogël i tremb dhe për disa, mund të duhen vite derisa të ndihen të sigurta. Duhet patur parasysh se rikthimi i sëmundjes nuk nënkupton humbjen e shpresës, pasi shumë paciente jetojnë një jetë të gjatë dhe cilësore edhe në këtë stad, falë progresit në trajtim.

 

Mbijetesa është e njëjtë për të gjitha pacientet?

Jo. Ajo është individuale për çdo pacient, në varësi të stadit të sëmundjes, gradës së tumorit, tipit histologjik dhe statusit të receptorëve hormonalë. Mbijetesa është më e mirë në stadet e hershme të sëmundjes, ku ajo 5-vjeçare varion nga 100% në stadin 0 dhe 1, në 22% në stadin e 4-t. Moshat e reja kanë një prognozë jo të mirë për shkak të agresivitetit të sëmundjes në këtë moshë. Vitet e fundit mbijetesa është përmirësuar ndjeshëm në sajë të diagnostikimit të hershëm e avancimeve në trajtim. Jo çdo grua që diagnostikohet me kancer gjiri, duhet ta barazojë atë me “vdekjen”. Kështu që çdo grua që ka këtë diagnozë, nuk është e thënë që do të vdesë, pasi mbijetesa është shumë e mirë. Sigurisht, që nëse gruaja e pranon dhe gjen forca tek vetja e saj, ia del, madje edhe në stadet e avancuara.

 

REALITETI

 

“Vitet e fundit, progres i madh në trajtimin e kësaj sëmundje”

 

“Si çdo vend, edhe në Shqipëri, vitet e fundit është bërë një progres i madh në drejtim të trajtimit të kancerit të gjirit. Përveç kimioterapisë standarde, tashmë edhe tek ne janë futur medikamente, ose target-terapi të personalizuara, që do të thotë se kjo terapi i drejtohet pacientit në bazë të të dhënave biologjike të tumorit. Këto target-terapi që i quajmë neve, janë të rimbursueshme nga shteti dhe pacientët trajtohen falas. Duke u trajtuar në këtë mënyrë, ata marrin një terapi më pak toksike dhe më efektive. Progresi është i dukshëm dhe i kemi thuajse të gjitha produktet citostatike dhe targetuese në shërbimin tonë. Në këtë mënyrë, mbijetesa e pacienteve edhe në stadet e avancuara është përmirësuar, pikërisht për shkak të progresit që është bërë në trajtime. Me pak fjalë, mund të them që në shërbimin tonë është i mundur çdo lloj trajtimi kundër kancerit të gjirit. Një numër i vogël i pacienteve që drejtohen jashtë vendit e bëjnë këtë për të marrë një opinion të dytë dhe me shpresën se mund të trajtohen më mirë, por shohin që mënyra e diagnostikimit dhe e trajtimit është e njëjtë dhe si rezultat, kthehen e trajtohen në Shqipëri”.  Marrë nga ‘Albanian Free Press’