“Dorëhiqet” Majkëll Fllyn – gënjeu Shtëpinë e Bardhë

“Ku ka zë, s’është pa gjë”. Kjo fjalë e urtë shqiptare i shkon më së miri rastit të Majkëll Fllyn (Michael Flynn), Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Trump, cili sapo ka dhënë dorëheqjen nga posti më delikat në Shtëpinë e Bardhë.

Pej kohësh flitej për një marrëdhënie të veçantë midis Majkëll Fllyn dhe ambasadorit rus në Washington, por të gjithë, që nga Pesidenti Trump, zëvendëspresidenti Pens, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë e shumë të tjerë i kishin hedhur poshtë me forcë akuzat e kishin dalë në mbrojtje të tij. Por doli ndryshe.  Zyrtari i lartë i sapoemëruar amerikan ka thyer normat e stabilizuara nga Logan Act, sipas të cilave asnjë qytetar amerikan nuk mund të ndërhyjë në tratativa diplomatike me një vend tjetër, një mënyrë elegante për të penguar cilëndo tentativë për komunikime direkte të paautorizuara midis zyrtarëve amerikanë dhe përfaqësuesve diplomatikë e të  shërbimeve sekrete të huaja, veçanërisht atyre të Rusisë dhe vendeve të tjerë rivalë me SHBA-në.

Majkëll Fllyn kishte montuar në kokë se mund ta bënte këtë, madje pa u nominuar ende nga Presidenti Trump në postin delikat të Këshilltarit për Sigurinë dhe më e keqja, ai i kishte mbajtur të fshehtë dhe nuk i tregoi gjer në fund as zëvendëspresidentit Majk Pens përmbajtjen e bisedimeve të fshehta me ambasadorin rus në Washington.

Bëhen kështu gjithnjë e më pak hipotetikë zërat nga burime të ndryshme e me autoritet, sipas të cilave Rusia ka ndërhyrë në proçesin zgjedhor amerikan që çoi në  zgjedhjen e Donald Trump si President i vendit. Ndërhyrje që është mohuar disa herë kategorikisht nga vetë Presidenti Trump.

Shumëkush ia vishte zgjedhjes së  Rex Tillersonit si Sekretar i Shtetit rolin e urës lidhëse midis  administratës së re dhe Rusisë së Putinit, por karta më e rëndësishme paska qënë gjysmë e fshehur: Majkëll Fllyn.

Kontaktet e parë midis Fllyn dhe ambasadorit rus në Washington datojnë, sipas mediave amerikane, më 2013, kur në cilësinë e drejtorit të DIA-s ai bëri një udhëtim në Moskë (por ato mund të datojnë edhe shumë më herët). Më pas, kontaktet kishin vazhduar, por teorikisht duhet të ishin ndërprerë, pasi Fllyn doli në pension (apo e nxorrën në pension) gjatë fundit të administratës Obama. U ripeshkua nga Trump dhe iu parashtrua marrja e postit tepër delikat të Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, ndoshta duke shpresuar se ai do të ishte në gjendje të qetësonte ujrat me Rusinë dhe me administratën e Putinit në Moskë. Fllyn pranon sfidën e re, mirëpo, ende pa u dekretuar,  pasi ende pa u inauguruar Donald Trump si President i SHBA, ai rifillon kontaktet me ambasadorin rus në SHBA, sipas shtypit, lidhur me zbutjen e sanksioneve që administrata Obama kish vënë ndaj Rusisë.  Në një intervistë të 8 Janarit (gati dy javë para ardhjes në pushtet zyrtarisht të Presidentit Trump), ai pohon rimarrjen e kontaktit me ambasadorin rus Kislyak, por mohon të ketë trajtuar temën e sanksioneve.

Edhe herë të tjera ka ndodhur që të jenë marrë kontakte joprotokollare të tillë, por diskutimi i një teme të caktuar e për më tepër konfliktuale midis dy vendeve, pa marrë ende rolin zyrtar, dënohet nga Logan Act. Mediat amerikane shtrojnë pyetjen se çfarë tjetër është biseduar në mënyrë sekrete midis Fllyn dhe ambasadorit rus e që i është mbajtur sekret zëvendëspresidentit Majk Pens dhe Shtëpisë së Bardhë si institucion. Provë e vështirë për Donals Trump: të mbronte Fllyn deri në fund apo t’i kërkonte atij dorëheqjen (nënkupto: t’i jepte një shkelm bythëve?)? Ndodhi kjo e fundit. Ngaqë prestigjozja Washington Post bëri publike gjithçka dhe sidomos faktin e pafalshëm për një zyrtar amerikan të këtij rangu siç ishte Fllyn, atë të  mos informimit për bisedimet e tij, qofshin këto edhe të paautorizuara, si zëvendëspresidentin ashtu edhe zëdhënësin e Trump që e kishin mbrojtur publikisht mbi kontaktet e tij me Moskën. Nuk njihet mirë dinamika, por thuhet se ishin shefat e mëparshëm të CIA-s (Xhejms Kleper) dhe të FBI-së (Xhon Brenan) që i kishin sugjeruar ish Ministres së Drejtësisë qysh në administratën Obama, Sally Q. Yates (të cilën Trump e pushoi nga detyra për kundërshtitë e saj ndaj dekreteve më të parë presidencialë kundër emigrantëve) të informonte Shtëpinë e Bardhë dhe veçanërisht zëvendëspresidentin Majk Pens mbi kontaktet e paautorizuar e të mbajtur fshehur të Fllyn me ambasadorin rus. Fllyn jo vetëm që nuk informon, por edhe gënjen zëvendëspresidentin amerikan mbi bisedimet midis tij dhe rusëve, duke e nxjerrë veten si një ndër personat jo vetëm më të pabesë, por edhe më të pa mend, që paradoksalisht u zgjodh nga Trump për në atë post të rëndësishëm. Një Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të SHBA i cili nuk di, apo harron, apo nënvleftëson,  se mekanizmat e specializuar të ruajtjes së sigurisë, CIA dhe FBI “sigurojnë” më parë se këdo Presidentin dhe personat rreth tij nga ndërhyrjet e huaja!

Dinamika e dorëheqjes së Fllyn nga posti i Këshiltarit për Sigurinë duket një lloj kapjeje e veshit të djathtë me dorën e majtë, por gjithsesi iu arrit qëllimit. Hipoteza se në këmbim të cyberndihmës ruse gjatë zgjedhjeve do të vinte heqja e sanksioneve po bëhet më e qënësishme dhe mbetet të shihet cili do të jetë vijimi i saj. Ndoshta për rastin Fllyn mund të aplikohet gjer edhe Logan Act e kjo do të thotë se ai rrezikon burgun, aq të përmendur prej vetë atij nëpër mitingje, në adresë të kandidates Klinton gjatë fushatës së zgjedhjeve.

Ndërkohë, në postin i Këshiltarit për Sigurinë Kombëtare,  Presidenti amerikan ka emëruar ad interim një tjetër pensionist, veteran i Vietnamit dhe i Irakut, Josef Kejt Kellog (Joseph Keith Kellogg).  Janë marrë kontaktet me një tjetër personazh, të famshëm sa edhe kontrovers, David Petreus, strateg i fushatës së Irakut dhe i Doktrinës Antiresurrecion, një ndër komandantët më të rëndësishëm të forcave të armatosura amerikane, shef i CIA-s për mëse një vit, i dorëhequr gjatë administratës së dytë Obama për një shkëmbim të pafalshëm (përveç sekrecionesh) edhe informacionesh me biografen dhe të dashurën e tij  Paula Broadwell, por gjithsesi  i përcjellë diplomatikisht për në pension të parakohshëm, me fjalët më të mira nga ana e Presidentit Obama.

A do të ishte ish gjenerali me katër yje Petreus njeriu më i besueshëm për postin e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare?

Po t’i hidhnim një sy historikut të këtij institucioni me funksione tepër të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë, të themeluar nga Presidenti Eisenhower më 1953, do të mund të vinim re se në krye të tij janë zgjedhur personazhe illustre me një spesor të padiskutueshëm si në planin profesional, ashtu edhe në atë personal. Midis tyre Henry Kissinger (1969–1975), Zbigniew Brzezinski (1977–1981), Colin Powell (1987–1989) dhe Condoleezza Rice (2001–2005), ata që kanë lënë edhe gjurmët më të spikatura në këtë departament.

Miti i Petreusit ra në tokë me dorë (heqjen) e tij nga posti i lartë i Drejtorit të CIA-s ( Nëntor 2012). Ringritja e tij eventuale, këtë rradhë në postin prestigjoz të Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Presidentit të SHBA-së, edhe pse do të ishte një lëvizje krejt logjike nga ana e Presidentit Trump, rezikon të kthehet para syve të masës, të opinionit të brendshëm e të jashtëm, ashtu si për gjithë mitet e rënë, në diçka alogjike që do të bartte gjithnjë  mesazhin e kontradiksionit midis Misionit dhe Egos.

 

 

Redaksia Impakt.al