Dixhitalizimi i muzeve, Kumbaro: Teknologjia, rivlerësim i historisë

 

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u prezantua projekti  pilot “Të fuqizojmë muzetë nëpërmjet teknologjisë, për një qasje më të gjerë për të gjithë” i cilli konsideron dixhitalizimin e  koleksioneve dhe zbatimin e teknologjisë ndërvepruese  në hapësirat e muzeve kombëtar dedikuar artit mesjetar dhe Ikonografisë të cilët ruajnë koleksione shumë të pasura  dhe disa nga objektet unikale të artit ikonografik në Shqipëri dhe rajon.

Në prezantim merrnin pjesë, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, kryetari i Bordit të AADF-së z. Michael Granoff , përfaqësues të Muzeve Kombëtarë në Berat, Korçë dhe Tiranë, etj.

Ministrja u shpreh se: “Nëse duam ta ruajmë, ta vlerësojmë dhe ta trashëgojmë historinë tonë, duhet ti flasim vizitorit me gjuhën e kohës. Ky projekt tregon se jemi duke përdorur teknologjinë, si një nga mjetet më të mira për të vlerësuar historinë”.

Projekti ka për qëllim të ruajë  dhe promovojë vlerën unike të këtyre  fondeve muzeore duke bashkuar  trashëgiminë kulturore dhe teknologjinë , si dy elementë premtues në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm të muzeve  të konsideruar gurë themeli për industrinë e turizmit kulturor.

Projekti është një nismë  e AADF e cila ka angazhuar për fazën e parë të tij  $ 60.000, dhe  ekspertizën   ndërkombëtare të: Cultural Héritage Imaging, organizatës amerikane që  i ka dedikuar prej vitesh punën e saj zhvillimit shkencor të teknikave të fotografimit dhe ruajtejs së imazheve digjitale të pasurive kulturore në të gjithë botën.

Kryetari i Bordit të AADF-së z. Michael Granoff u shpreh se “Ky vend është I rrethuar me histori. Në respekt të thesarit tuaj, ne jemi të gëzuar që mund ta mbrojmë këtë pasuri, së bashku me Ministrinë e Kulturës”.

Ky lloj koleksioni tashmë virtual nuk e ka të dytin të paktën për momentin as në Ballkan dhe as në Europë.

“Projekti është për rivlerësim të trashëgimisë kulturore, për vizitorin e zakonshëm, për turistin e ardhshëm i cili përpara se sa të vijë do donte të kishte një pamje më të qartë, por është një teknikë fantastike e cila  do t’u japë  mundësinë studiuesve, historianëve, artistëve për të hyrë më në thellësi të veprës artistike të trashëguar”- tha më tej në fjalën e saj, Kumbaro.

Në këtë prezantim u treguan  rezultatet  e fazës kërkimore të kryer në Shqipëri  nga ekspertët amerikanë  të Cultural Heritage Imaging dhe specialitët e muzeve  shqiptarë  që kanë punuar me ta.

Projekti implementohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës , Muzeun Kombëtar te Ikonografisë ONUFRI , Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Muzeun Historik Kombëtar dhe do të  zhvillohet në 3 faza.

Përgjatë këtyre fazave  AADF do tё ndihmojë në vlerësimin e koleksioneve të muzeve , dixhitalizimin e tyre me teknologji të përparuar (në vazhdimësi) dhe implementimin e teknologjisë interaktive brënda në muze me qëllim pasurimin e eksperiencës së vizitorëve dhe promovimin më të gjerë të vlerave të këtyre të fundit.

Në përfundim të tij  projekti do të prodhojë platforma interaktive dhe materiale informuese në ndihmë të kërkimit shkencor dhe edukimit në muze dhe të dhëna të rëndësishme për stafet e muzeve duke i ndihmuar ata për të hartuar strategji  bashkëkohore për nxitjen e zhvillimin e interesit të vizitorëve.

Faza e parë e projektit ka filluar implementimin në qershor të këtij viti dhe  ka kryer tanimë  një punë intensive të ekspertëve te CHI me stafet  e muzeve përmes sesionve  të trajnimit, seancave të fotografimit të objekteve nga koleksionet në : Pavijonin e Ikonografise në Muzeun Historik Kombëtar , Muzeun Kombëtar të Ikonografisë ONUFRI dhe Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar.

Kjo fazë do të vijojë për t’u mbyllur në dhjetor të vitit 2017 dhe  do të prodhojë material të detajuar teknik për zhvillimin dhe implementimin e fazës së dytë të projektit e cila i dedikohet procesit të vazhdueshm të dixhitalizimit të trashgimisë materiale në rang kombëtar.