Davos, “luftë” jo vetëm idesh  BE-SHBA

Ashtu si çdo vit, bota politike dhe e biznesit mblidhet edhe këtë herë në Davos të Zvicrës, në World Economic Forum, për të diskutuar mbi problemet më të mprehta që përshkojnë dhe shqetësojnë ekonominë dhe stabilitetin politik botëror. Tema kryesore e axhendës së Davosit për këtë vit ka të bëjë me cybersigurinë, por me sa duket vëmendja e të gjithëve po zhvendoset drejt shpërbërjes së disa elementëve që në njëfarë mënyre garantojnë sigurinë dhe stabilitetin gjeopolitik ndërkombëtar aktual. Prej vitesh, një forum i tillë nuk ka trajtuar si të planit të parë çështjen e stabilitetit gjeopolitik botëror. Përballë shqetësimeve të lidhura me modelin gjeopolitik të zhvillimit të botës së sotme, ato mbi cybersigurinë duket se janë zhvendosur në plan të dytë. Duket qartë kjo në shqetësimin me të cilin kanë përcjellë diskutimet e tyre edhe disa nga liderat europianë që marrin pjesë në këtë edicion të World Economic Forum, të cilët  kritikuan me rradhë politikën “America First”,  në një farë mënyrë të parashpallur prej Presidencës Trump, çka do të thotë, në konceptimin e shumë pjesmarrësve, kthim në një lloj proteksionizmi, për të mbrojtur parasëgjithash interesat e SHBA.

Gjatë fjalës së saj në, Kancelarja Merkel theksoi se “të izoluarit nga pjesa tjetër e botës nuk ndihmon e nuk është përgjigjia e duhur” dhe se “duhen këkuar zgjidhje të shumëanshme dhe jo të njëanshme” edhe pse për këtë “duhet durimi i nevojshëm”. Po ashtu ajo e vuri theksin në faktin  tek “shumë egoizma” kombëtare dhe tek rreziku i populizmit që po helmon Europën.

Nga ana e tij, Presidenti francez Emanuel Macron konstatoi se “globalizmi po kalon një krizë të rëndë” e cila kërkon një përgjigje, një lloj të ri “kooperimi” e “multilateralizmi”, sipas Macron, e jo “hegjemoni të reja” (duke nënkuptuar politikën “America First” të Presidentit Trump). Më tej, Presidenti francez shtroi nevojën e një strategjie ndërkombëtare më të koordinuar, duke evituar kursin e uljes së taksave, këtë lloj dumpingu fiskal që Trump kërkon të aplikojë në SHBA e që, edhe sipas Macron, “nuk është përgjigjia e duhur”.

Si për Merkel, ashtu edhe për Macron, mbeten të rëndësishëm përparimet e shënuar falë multilateralizmit të pas Luftës së Dytë Botërore dhe atij të ditëve të sotme brenda Bashkimit Europian, në shumë fusha e së fundmi edhe në atë të mbrojtjes së përbashkët, çka, sipas liderëve kryesorë të BE-së, “nuk është në kundërshtim me NATO-n”.  Në këtë pikë, Merkel nuk mbajti asnjë rezervë apo stil diplomatik, duke deklaruar hapur se për sa i përket konflikteve që rrethojnë Europën duhet shkuar përpara “duke marrë parasysh se nuk mund t’i besojmë më Shteteve të Bashkuara”, ndaj, spas saj, “duhet të marrin në duart tona fatet tona”.

Nga ana e tij Macron e identifikoi plotësisht Francën e tij me Europën  duke u shprehur se ajo, Franca, “nuk mund të ketë sukses, pa patur sukses Europa”. Po ashtu ai nuk mungoi të emfatizojë idenë e vlerave europiane “paqja, drejtësia dhe te drejtat njerëzore” si dhe idenë se, nëse multilateralizmi do të ringjallet, ai ka nevojë për djepin e tij që, sipas Macron, është Europa.

Më i moderuar, siç edhe pritej,  kryeministri italian Paolo Gentiloni, i cili në fjalën e tij tha se “respektoj krejtësisht faktin se Trump është zgjedhur me idenë për të vënë në jetë politikën “America First” e që ai po kërkon të shkojë në atë drejtim, porse, si europianë dhe si italianë duhet të vëmë në dukje se të respektosh dhe mbrosh interesat e qytetarëve amerikanë, çka është krejt korrekte, nuk do të thotë gjithsesi aspak se ne vëmë në diskutim të gjithë kornizën e gjithë atyre marrëdhënieve tregëtare që janë treguar jashtëzakonisht të dobishme për rritjen”. Më pas ai theksoi se “baza e diskutimit duhet të vazhdojë të jetë mbështetja ndaj hapjes, ndaj tregëtisë së lirë dhe marrëveshjeve e jo ndaj proteksionizmit”.

Mjaft ndryshe mendojnë amerikanët, delegacioni i të cilëve në Davos, para mbërritjes së Presidentit Trump, përfaqësohej nga Sekretari i Shtetit për Thesarin Steven Mnuchin dhe ai i Tregëtisë Wilbur Ross. Mnuchin deklaroi menjëherë se “ne i besojmë një sistemi fiskal territorial” dhe se përgjigjia e tregjeve ndaj lëvizjeve të Trump në këtë drejtim ka qënë shumë pozitive. Më tej ai vazhdoi se “një dollar i dobët është më i duhuri për eksportet” dhe se për administratën e Trump, marrëveshja Transatlantike mbi Tregëtinë (Ttip) nuk ka vdekur, porse “ne jemi për marrëveshjet dypalëshe”. Sekretari Roos, nga ana e tij, u kujtoi shumë të pranishmëve se nuk janë SHBA, por disa vende të tjera ato që “kanë adaptuar një proteksionizëm të skajshëm”.

Pritet që Presidenti Trump, pas mbërritjes së tij në davos, të sqarojë më qartë pozicionet e administratës së tij mbi këto tema.

Gjithsesi është e qartë se për të satën herë, europianët, të gjendur jo vetëm pa mburojën amerikane, por, përkundrazi, me SHBA si kompetitor parësor komercial të tyre, shfaqin shenja nervozizmi infantil pasi e dinë se, një kthim i SHBA tek vetvetja do të thotë destabilitet dhe rënie ekonomike për BE. Për të satën herë Trump ka ritheksuar se SHBA nuk janë më të disponueshëm të paguajë për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e Europës, siç kanë bërë qysh nga pas Lufta e Dytë Botërore e gjer më tani.