Bushati: Diplomacia shqiptare, instrument kyç për tërheqjen e investimeve

Mministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati mori pjesë në konferencën “Sfidat për Rritjen e Investimeve dhe Aftësisë Konkurruese të Ekonomisë Shqiptare”, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Në fjalën e tij ministri theksoi se, nëse tradicionalisht fokusi i diplomacisë ishte në administrimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, sot diplomacia është shndërruar në një instrument që promovon në veçanti interesat ekonomike të vendit.

“Një diplomaci efikase ekonomike nënkupton promovimin e produkteve dhe shërbimeve shqiptare në botë duke influencuar politikat e investimeve tregtare të shteteve partnere dhe kompanive të huaja, si dhe influencim të enteve rregullatore ndërkombëtare”.

Në këtë kontekst, sipas tij, pala shqiptare është përpjekur që të adoptojë dhe zhvillojë një diplomaci proaktive duke  përdorur instrumente si misionet dhe përfaqësitë tona jashtë vendit, organizata ndërkombëtare dhe forumet e tjera ekonomike , grupet e biznesit, dhomat e tregtisë, rrjetin e konsujve të nderit dhe diasporën tonë.

“Kjo është arsyeja që ne po punojmë që përfaqësitë tona diplomatike të transformohen edhe si pika kontakti për zhvillimin ekonomik , jo vetëm në kuadër të tërheqjes së investimeve të huaja , por edhe në kuadër të promovimit të eksporteve shqiptare, pra vitrina të markës “Made in Albania”, si dhe i promovuese të Shqipërisë turistike dhe kulturore, ashtu siç edhe tregoi kjo verë elektorale ka imazhin që po ndryshon shumë shpejt”, tha ministri Bushati.