Bisedimet me Greqinë, Bushati: Nuk kemi përfunduar çështjen e kufirit. S’kemi pretendime territoriale për Çamërinë

Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi seancë dëgjimore me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati mbi bisedimet dypalëshe me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias

Fillimisht, Bushati bëri një rezume të takimeve me Kotzias, ku u shpreh se  Shqipëria është ulur në tryezën për bisedime me Greqinë me dëshirën e mirë për të listuar të gjitha çështjet që për ne konsiderohen të hapura dhe kërkojnë zgjdhje.

Ministri Bushati sqaroi se proçesi nuk ka filluar në Kretë dhe nuk ka Mbaruar në Korçë, por është një proçes që vazhdon.

Gjithashtu, Bushati bëri me dije se pjesë e diskutimeve me palën greke kanë qenë edhe emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, gjuha shqipe,vula Apostile, si dhe vendosja e një regjimi të përbashkët  kufitar.

Ministri se Shqipëria nuk lëviz nga perimetri i vendosur nga Gjykata Kushtetuese e shprehur për marrëveshjen e detit dhe se bisedimet mbeten të hapura për kufinjtë mes dy vendeve.

“Shporta e luftës, për hir të së vërtetës është një shportë e pasur për fat të keq. Çfarë po bëhet me 500 mijë shqiptarët që jetojnë në Greqi? Si mund të bashkëpunojmë dhe kërkojmë më shumë të drejtë dhe lehtësi për ta? Me Greqinë ende nuk kemi përfunduar çështjen e regjimit kufitar, qoftë në det, ashtu edhe në tokë”, – deklaroi ministri Bushati.

Sipas tij, Ligji i luftës ka dy komponentë, ka komponentin politik sepse do të prodhojë një atmosferë shumë më të mirë midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe ka një komponent ligjor për sa i përket dekreteve të kohës, legjislacionit civil në Greqi, të çilët vendosën nën sekuestro pronat e shqiptarëve, pronat e shtetit shqiptar dhe pronat po të doni të shtetasve shqiptarë me origjinë greke.

Përsa i përket,  çështjes  çame, Bushati tha se  është një çështje e të drejtave të njeriut, ndërkohë që Shqipëria nuk ka pretendime territorial.

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli vlerësoi  punën e bërë nga ministri Bushati për krijimin e urave të bashkëpunimt mes dy popujve tanë. Gjithashtu, Kodheli tha se ky është modernizmi i këtij rajoni, i jetës dhe i popujve te dy vendeve tonë, nuk është vetëm i njëanshëm përfitmi dhe nuk mund të jetë kështu.

Sakaq, nënkryetari i këtij komisioni Dritan Shehu tha se ne i konsiderojnë shumë të rëndësishme marrëdhëniet Shipëri-Greqi, por duhen veprime më dinamike.

Ndërsa, nënkryetarja Klajda Gjosha u shpreh se të gjitha  çështjet e mbartura,  mos mbeten ne kuadër të ngritjes së grupeve të punës teknike, por këto çështje bilaterale të zgjidhen, për të mirën e qytetarëve shqiptar që jetojnë në Greqi.