Berati u vizitua nga 38.650 turistë vendas e të huaj

I njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, qyteti 2400 vjeçar i Beratit ka zgjuar interesin e turistëve të shumtë që e kanë vizituar.

Qendra Konbëtare e Muzeumeve në Berat konfirmon se “nëse do të bëjmë një shikim të vizitueshmërisë në periudhën Janar- Tetor 2017 do të kemi vërtetë një shifër impresionuese, 38 650 vizitorë dhe 6 706 800 lekë të ardhura nga biletat”.

Sipas të dhënave të këtij institucioni janë gati 10 000 vizitorë më shumë se i gjithë viti 2016.

“Ndërsa në muajin tetor në gjysmën e të cilit u shënua edhe mbyllja e Sezonit Turistik të Verës vazhdoi të kishte një fluks të lartë prej 4 029 vizitorësh nga të cilët 3 183 vizitorë janë të huaj”, thekson QKMB-ja.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat bën të ditur se “destinacioni më i rëndësishëm mbetet Muzeu Ikonografik Onufri, i cili në këtë periudhë u vizitua nga 32 658 vizitorë, por dhe Muzeu Etnografik pati një vizitueshmëri të kënaqshme prej 6 165 vizitorësh”.

Qendra urbane e Beratit, reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s. Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme : ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke. Kështjella është pjesë e legjendës së vjetër e të bukur të Tomorit dhe Shpiragut.

Ura e Goricës është një nga monumentet e kulturës dhe të arkitekturës së Beratit dhe njëkohësisht një nga simbolet e tij. Rreth viteve 1780 me përkujdesjen e Ahmet Kurt Pashës, nga urë druri në pjesën e sipërme, ajo u ndërtua e gjitha prej guri. Ajo u rindërtua përsëri duke marrë pamjen që ruan sot, me parmakë betoni, në vitin 1922 nga bashkia e qytetit. Është 129,3 m e gjatë, 5,3 m e gjerë, ngrihet 10 m mbi lumë dhe ka 7 harqe me hapësira 9 deri 16,7 m.

Në Berat është gjetur një vepër e rrallë, epitafi i Glavinicës, një krijim i mirënjohur i vitit 1373, i qëndisur në ar, argjend e mëndafsh, që tregon Krishtin e vdekur të kurorëzuar, të rrethuar me shkrime greke.