Basha: Tahirit iu blenë 24 orë për të shkatërruar provat, shqiptarët të marrin në dorë fatet e vendit

 

Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve zhvilloi sot mbledhjen për heqjen e imunitetit për deputetin Saimir Tahiri. Pprokuroria tha në mbledhje se kishte dyshime të arsyeshme që ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte i përfshirë në aktivitetin e trafikut të drogës duke i dhënë mbështetje grupit të Habilajve, i cili u godit fillimisht pak ditë më parë në Itali. Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve të parlamentit, prokuroria, paraqiti në një seancë me dyer të mbyllura prova shtesë që sipas saj ishin në favor të kërkesës për arrestimin e Tahirit. Ndërkohë gjatë mbledhjes ajo ndryshoi versionin për udhëtimet e ish ministrit Tahiri me automjetin që më parë ja kishte shitur njërit prej vëllezërve Habilaj. Seanca do të vijojë nesër me mbrojtjen e ish ministrit të Brendshëm.

Shtyrjen e mbledhjes të Këshillit të Rregullores , Mandateve dhe Imuniteteve, për Saimir Tahirin, kreu i PD Lulzim Basha e cilësoi blerje kohe nga Kryeministri, për të prishur provat që të shpëtojë ai dhe ministrat e tjerë të kapur në krim.

Ai deklaroi se shqiptarët panë se si Kryeministri urdhëroi mbrojtjen e Saimir Tahirit, të cilin e cilësoi si trafikant të dalë hapur nga përgjime që çdo shqiptar i ka lexuar.

Sipas tij, përgjimet nxorën zbuluar se Saimir Tahiri merrte shuma të mëdha parash në këmbim të mbrojtjes që i ofronte bandës së “Habilajve”.

“Shqiptarët e kanë parë sot se si Kryeministri ka urdhëruar mbrojtjen e Saimir Tahirit, njeriut që është kapur në flagrancë nga antimafia italiane si i lidhur, përfitues dhe mbrojtës i bandës të trafikut të drogës dhe të armëve. Përgjimet, të cilët cdo shqiptar i ka lexuar, tregojnë qartë se, Sajmir Tahiri merrte shuma të mëdha parash në këmbim te mbrojtjes që i ofronte kësaj bande dhe në këmbim të vënies se policisë, porteve, aeroporteve, radarëve të vëzhgimit, në dispozicion të bandës Habilaj dhe të trafikut të drogës dhe të armëve”, tha Basha.

Kreu i opozitës tha se Kryeministri tregoi se është në krahë të Saimir Tahirit dhe se e vërteta që i lidh bashkë dhe i inkriminon është më e fortë se retorika e tij për drejtësi.

“Askush nuk kërkon prova për ti hequr një privilegj Tahirit, për ta bërë të barabartë para drejtësisë. Provat tregohen në gjykatë. Faktet tregojnë qartë se parlamenti nuk ka rrugë tjetër veçse ti heqë një orë e më parë imunitetin Saimir Tahirit”, u shpreh Basha.

Ai shtoi më tej se Saimir Tahirit iu blenë 24 orë gjatë të cilave nënvizoi ai, do të shkatërrohen shumë prova dhe do të lidhen dhe priten shuam fije.

“Do të çohen negociator, zhage e numra bankarë për të shantazhuar e blerë të vërtetën. Për këdo që kishte dyshim, Kryeministri provoi se kupola mafioze nuk do jetë kurrë në gjendje të bëjë drejtësi”, tha ai.

Në këtë linjë, nënvizoi se për çdo shqiptar është ora e vetëdijes dhe se qeveria antimafia është e vetmja mënyrë që do vendosë drejtësi, rend dhe siguri.

Ai tha se mënyrat për të arritur deri në një qeveri antimafia, po zvogëlohen me shpejtësi të madhe.

“Po vjen ora që të gjithë së bashku, shumica dërrmuese e shqiptarëve që nuk e kanë votuar Kryeministrin të marrin në dorë fatet e vendit”, deklaroi Lulzim Basha.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, në cilësinë e drejtuesit të mbledhjes së Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren në Kuvend, i doli në krahë Saimir Tahirit, i akuzuar për trafik droge.

Ndërsa avokati mbrojtës i Tahirit, Artan Hajdari kërkoi tre ditë kohë, deri të hënën, që të përgatisë mbrojtjen, Ruçi i ka dhënë të drejtë.

“Keni kohë deri nesër, nesër në orën 10.00 mblidhet këshilli”, u shpreh i prerë Gramoz Ruçi.