Basha fton fermerët e Divjakës të protestojnë për braktisjen nga qeveria

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, zhvilloi një takim ditën e sotme me fermerët e Divjakës.

Fermerët iu ankuan Bashës për mbetjen e pa shitur të prodhimeve të tyre, të cilët thanë se janë mashtruar ne fushatë nga kryeministri, duke pretenduar se nuk marrin subvencione as në naftë, as në fara dhe as plehra kimike.

“Nuk marrim asnjë subvencion as në naftë, as në fara, as në plehra kimike. Po konkurohemi padrejtësisht nga prodhimet e importit”

Basha, inkurajoi fermerët të protestojnë para kryeministrisë kundër braktisjes nga qeveria.

Ata i thanë kryetarit Basha se do t’i hedhin në lumë prodhimet e tyre, por ai i nxiti që, në vend të çojnë dëm djersën e tyre, të vijnë në Tiranë, të bllokojnë kryeministrinë. “Duhet të hedhim kryeministrin në kanal, jo djersën tuaj”- u tha Basha fermereve.

Sipas tij, një qeveri që është vënë në shërbim të një grushti njerëzish të korruptuar dhe të lidhur me krimin, nuk do t’u shërbejë qytetarëve.

Basha tha se me programin e PD për mbështetjen me 150 milionë dollarë në vit, fermerët do t’ia dalin të konkurrojnë me importin, të shesin prodhimet në treg dhe të rimëkëmben ekonomikisht.