Balkan Barometer: Shqipëria, vendi me papunësinë më të lartë në rajon

Shqipëria është vendi me papunësinë më të lartë në Europën Juglindore. Ky është përfundimi zyrtar i vrojtimit Balkan Barometer, i cili ka hedhur poshtë statistikat zyrtare të Institutit Shqiptar të Statistikës.

Sipas vrojtimit, që u publikua nga Këshilli Bashkëpunimit Rajonal, aktualisht në Shqipëri, 23 për qind e popullsisë është e papunë. Kjo është shifra më e lartë në rajon dhe në të nuk përfshihen studentët, shtëpiakët dhe pensionistët.

Sipas vrojtimit, në vendin e dytë renditet Bosnja, ku pjesa e popullsisë që është e papunë raportohet 21 për qind. Në Malin e Zi dhe Maqedoni papunësia llogaritet 20 për qind, ndërsa Serbia dhe Kroacia kjo shifër është 16 për qind.

Grafiku i publikuar nga Këshilli Bashkëpunimit Rajona, rrëzon statistikat zyrtare të papunësisë në Shqipëri. Instituti i Statistikave raporton se papunësia në Shqipëri është 13.9 për qind, por sipas Balkan Barometer shifra reale është gati dy herë më e lartë, pra 23 për qind.

Prej vitesh, shifra zyrtare e papunësisë që raporton Instituti i Statistikave është komentuar me skepticizëm në publik. Shumë ekspertë hedhin dyshime mbi vërtetësinë e saj, dyshime të cilat konfirmohen edhe më shumë nga Balkan Barometër.

Përveçse ka numrin më të lartë të të papunëve, Shqipëria ka dhe rekordin tjetër negativ, atë të numrin më të ulët të të punësuarve. Sipas Balkan Barometer, aktualisht vetëm 28 për qind e shqiptarëve janë të punësuar me pagesë të deklaruar, ndërkohë që vendet e tjera e kanë këtë tregues nga 32 për qind e sipër.