Anija ushtarake amerikane “Ross”, tre ditë në portin e Vlorës

 

Anija ushtarake amerikane  Ross po zhvillon një vizitë portuale të planifikuar më parë për të forcuar marrëdhënien tashmë jetëgjatë midis dy vendeve tona dhe për t’u lejuar marinarëve mundësinë të përjetojnë mikpritjen e Vlorës dhe kulturën e pasur të Shqipërisë. Këto lloj vizitash demonstrojnë përkushtimin tonë ndaj stabilitetit rajonal dhe sigurisë detare në këtë rajon jetësor të botës.

Anija do të qëndrojë tre ditë në portin e Vlorës, në kuadrin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ushtarake dypalëshe.

Në një ceremoni të zhvilluar në anije të shtunën morën pjesë Ambasadori i SHBA Donald Lu, zv/ministri i Mbrojtjes Petro Koçi si dhe autoritete të tjera të ushtrisë shqiptare dhe qeverisjes vendore.

“Jam shumë i lumtur që sot kemi zv/ministrin Koçi dhe Gjeneralin Kollçaku dhe shumë zyrtarë të lartë ushtarakë shqiptarë, dhe gjithashtu jam i emocionuar pasi nesër shumë të rinj nga Vlora dhe Tirana do të vizitojnë këtë anije. Një nga misionet tona është të ndihmojmë të rinjtë e Shqipërisë të respektojnë forcat e ushtrisë si një profesion dhe për të gjithë ne të kuptojmë rolin e ushtrisë në mbrojtjen e shoqërive të lira në të gjithë botën. Si aleatë të NATO-s jemi shumë të kënaqur që kjo anije amerikane është sot këtu, dhe stafi i anijes mund të eksplorojë mikpritjen e këtij qyteti të bukur, të arrijë të njohë këtë kulturë. Falenderoj kryebashkiakun e Vlorës për mikpritjen për trupat amerikane”, tha ambasadori Lu.

Anija Ross ka në bord një ekuipazh prej 350 vetë dhe ka qenë pjesë e dhjetëra operacioneve ushtarake, më e fundit e tyre në Siri. Pas Shqipërisë, anija do t’i drejtohet Spanjës dhe më pas SHBA.