AMF – FMN, diskutojnë për licencimin e Bursës së parë private të titujve

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Koçi priti në një takim përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, me të cilët diskutoi në lidhje me ecurinë e tregjeve financiare, me fokus të veçantë tregjet e kapitaleve dhe rolin e Autoritetit në mbikëqyrjen, rregullimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij tregu. Drejtori i AMF informoi përfaqësuesit e FMN-së për ndryshimet e fundit në strukturën e AMF-së, e cila u përmirësua për t’iu përgjigjur më efektivisht zhvillimeve dinamike të tregjeve nën mbikëqyrje. Struktura e re ka parashikuar edhe një njësi të dedikuar për mbikëqyrjen e tregut të kapitaleve.

Koçi i bëri të ditur përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar se AMF i ka kushtuar vëmendje të veçantë edukimit financiar të publikut dhe mbrojtjes së investitorëve që operojnë në tregun e kapitaleve. Në këtë kuadër, Autoriteti ka miratuar së fundmi edhe strategjinë “Për rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit”.

Në takim u diskutua për licencimin e Bursës së parë private të titujve, mbikëqyrjen dhe strategjinë e komunikimit për menaxhimin e krizave përsa i përket fondeve të investimit dhe punën e bërë nga AMF për të garantuar stabilitet, transparencë dhe mbrojtje për konsumatorët. Nga ana e saj, FMN shprehu gadishmërinë për të vazhduar asistencën në drejtim të rritjes së kapaciteteve mbikëqyrëse të AMF-së.