Ambasadori Gaiani: Zgjerimi i BE-së, prioritet strategjik i Presidencës italiane

Tiranë, 22 korrik 2014 – Intervistë me ambasadorin e Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, lidhur me Presidencën italiane të Këshillit të Bashkimit Evropian

 

Ambasador Gaiani, që prej tri javësh Italia mban Presidencën 6 mujore të Këshillit të BE. Kjo është e 12-ta herë që nga Traktati i Romës në vitin 1957. Që nga ky Traktat kanë kaluar rreth 6 dekada për të ardhur në presidencën aktuale. Ju lutem, a mund të thoni disa nga arritjet më të mëdha gjatë 11 presidencave të mëparshme të Italisë?

– Si një nga vendet themeluese të BE, Italia ka marrë shumë herë presidencën me rotacion të Këshillit të BE. Do të doja të vija në dukje që Presidencat duhet të veprojnë në thelb si negociatore duke kombinuar ide të ndryshme dhe ndihmuar për të bërë disa kompromise të duhura. Do të përmend, gjithsesi, tri arritje shumë të rëndësishme gjatë presidencave të Italisë: atë në vitin 1985, kur në Milano u vendos lançimi i konferencës ndërqeveritare, që çoi në adaptimin e Aktit të Vetëm Europian, që përbën rishikimin e parë, të rëndësishëm, të Traktatit të Romës, gjë që i dha mundësinv BE të krijojë Tregun e Vetëm Europian, i cili mbetet edhe sot e kësaj dite një nga shtyllat më të rëndësishme të BE. Më vonë, në 6 mujorin e dytë të vitit 1990, Italia lançoi dy konferenca ndërqeveritare, që çuan më në fund në bashkimin politik dhe monetar të BE, pra tri shtylla shumë të rëndësishme të strukturës së BE. Dhe meqë kjo intervistë jepet ekskluzivisht për DW, organizatën mediatike ndërkombëtare të Gjermanisë, dëshiroj të sjell ndërmend maratonën në 6 mujorin e dytë të vitit 1990, që solli ribashkimin e Gjermanisë dhe pjesa më e madhe e punës u krye gjatë Presidencës Italiane; këto për të dhënë disa tregues të arritjeve të mëdha gjatë presidencave të mëparshme të Italisë.

 

Le të qëndrojmë tek Presidenca e tanishme. Cilat janë prioritetet kryesore dhe çfarë synon të arrijë Italia deri në fund të këtij viti?

– Mendoj se 4 fjalë të thjeshta mund të pëmbledhin prioritetet tona: rritje, në rradhë të parë, së dyti, punësim dhe vende pune, nështetësia europiane dhe së fundi roli i BE në botë. Këto janë 4 prioritetet, por natyrisht, do t’ i kushtojmë shumë vëmendje zgjerimit të BE, që preferoj ta quaj ribashkim të Ballkanit Perëndimor me BE.

 

Pse Italia ka zgjedhur këto katër prioritete?

– Për shkak të krizës dhe paqëndrueshmërisë financiare na duhet t’i kushtojmë vëmendje ashpërsimit të politikave financiare. Është koha për të vendosur rritjen ne krye të axhendës. Ka 24 milion të papunë në BE dhe pjesa më e madhe janë të rinj dhe të reja, duhet të bëjmë diçka për ata: të rrisim punësimin, të zvogëlojmë papunësinë, ta fusim rininë në tregun e punës. Mendoj se arsye janë fare të qarta. Lidhur me nështetësinë europiane: mendoj se ka shumë distancë mes qytetarëve europianë dhe institucioneve europiane, qytetarët europianë nuk kuptojnë se çfarë bëjnë institucionet dhe ne duhet të përpiqemi të zvogëlojmë këtë distancë. Element i rëndësishëm është zbatimi i parimit themelor te funksionimit të BE, parimit të vartësisë, sipas të cilit çdo veprim duhet kryer në nivelin përkatës: disa duhen bërë në nivelin e BE, të tjera bëhen më mirë në nivelin kombëtar dhe disa syresh në nivel lokal. Duhet të pakësojmë ndërhyrjet në çështje që nuk i përkasin nivelit europian dhe t’i lëmë BE çështje, që kanë vlerë të trajtohen prej tij. Lidhur me rolin e BE në botë mendoj se ka shumë kërkesa për Europën, kudo në botë. Ne duhet të çojmë mesazhet e Europës më zë më të lartë duke filluar natyrisht me zonat, që janë pranë Europës, si Mesdheu dhe Europa Qëndrore, ku kriza ukrainase është shumë e rrezikshme dhe e frikshme. Mendoj që Europa duhet të jetë më e pranishme me një përqasje të balancuar, duhet të merremi me këto dy zona si edhe me cilëndo tjetër, ku ndërhyrja e Europës është e dobishme.

 

Ambasador Gaiani, ju thatë në krye të herës, se zgjerimi i BE mbetet një prioritet strategjik i Presidencës së tanishme të Italisë. Çfarë hapash do të ndërmarrë Italia gjatë 6 muajve të Presidencës së saj për të bërë më të mirën në këtë drejtim? A është situata e brendshme në BE në favor të politikës së zgjerimit?

– Presidenca Italiane e ka vendosur zgjerimin si një prioritet absolut; zgjerimi ka provuar të jetë një politikë shumë e suksesshme dhe pozitive jo vetëm për shtetet e reja anëtare por për Europën si një të tërë. Mendoj se duhet të vazhdojmë procesin, që kemi filluar dhe ta përfundojmë atë në Ballkanin Perëndimor. Mendoj se nga kjo do të ketë avantazhe stabiliteti dhe rritja në rajon por gjithashtu edhe në Europë. Presidencat kanë një pushtet të kufizuar, por mund të ndërhyjnë në axhendën e BE dhe ne do ta vendosim zgjerimin dhe çështjet europiane në axhendë, sa herë që është e dobishme dhe e nevojshme.

Kjo do të kontribojë që procesi i zgjerimit të ecë përpara. Natyrisht, lypset edhe bashkëpunimi konstruktiv i të gjitha vendeve të interesuara të Ballkanit Perëndimor, secili prej tyre do të vlerësohet në bazë të meritave të veta, gjithsesi ne mund t’i ndihmojmë këto vende të vazhdojnë reformat, që lypsen, pasi ato janë të frytshme për vendin, ekonominë, mirëqënien e qytetarëve të tyre, por gjithsesi ne do të ndihmojmë që të lëvizin në rrugën e integrimit europian. Do të përpiqemi që këto vende të kuptojnë që jemi në krah të tyre, të gatshëm t’i ndihmojmë, sa herë që paraqitet nevoja. Lidhur me problemet e brendshme të BE, mendoj se kriza shumë e thellë solli edhe frikën e së panjohurës. Kjo ndodh sa here që ekonomia nuk ecën mirë. Por të gjitha frikërat e të shkuarës, lidhur me zgjerimin e BE, mbërritjen massive të njerëzve provuan të jenë krejtësisht të gabuara. Efektet në ekonomi kanë qënë pozitive dhe jo negative. Natyrisht ka një valë skepticizmi në të gjithe Europën, që duhet kapërcyer, sepse është negative për BE si një të tërë, jo vetëm për zgjerimin por edhe për shtetet e reja anëtare, pra duhet përballuar duke sjellë institucionet pranë qytetarëve duke u shpjeguar, pse Europa është kaq e rëndësishme. Mendoj që një element kyç është ai që qeveritë nuk duhet të marrin meritën e gjithshkaje, që shkon mirë dhe t’ia hedhin përgjegjësinë Europës për gjithë sa ecën keq, pasi kjo do të thotë që qytetarët nuk e pëlqejnë Europën. Për fat të mirë opinioni publik është shumë pozitiv dhe proeuropian në Shqipëri dhe ne duhet ta mbajmë gjallë këtë element shumë të rëndësishem që të mos ketë asnjë lloj “lodhje nga zgjerimi” për Shqipërinë dhe në këtë drejtim dhënia e statusit të vendit kandidat për anëtarësim është shumë, shumë i rëndësishëm.

 

Si mund të kontribuojë tani Presidenca italiane, që Shqipëria të hapë negociatat e pranimit me BE? Me marrjen e statusit u mbyll nje fazë e rëndësishme, për të hapur një tjetër, atë të negociatave.

– Mendoj që konkluzionet e Këshillit Europian, që i dha Shqipërisë statutin, tregojnë shumë qartë pesë fushat prioritare: reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsonit dhe krimit të organizuar, reforma në administratën publike, një sërë elementësh për të përmirësuar klimën e biznesit, i referohem këtu çështjes së pronës, si një element shumë i rëndësishëm. Mendoj se ka një unanimitet lidhur me këto fusha, ku reformat duhet të vazhdojnë. Qeveria Rama është shumë e angazhuar në këtë rrugë, e cila nuk është e lehtë, është fjala për reforma shumë të vështira dhe komplekse, që kërkojnë kohë dhe shumë përpjekje. BE, Italia, si në rolin e presidencës së rradhës ashtu edhe në përqasjen në marrrëdhëniet dypalëshe, do të jetë në mënyrë konstante pranë qeverisë së Shqipërisë për të vazhduar këto përpjekje, që filluan që me qeverinë e kaluar, ne mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe tani me qeverinë e re, që ka një angazhim shumë të qartë në rrugëtimin drejt Europës. Nuk mund të flas për fokuse të veçanta, apo afate kohore, por e rëndësishme është që do të jemi aktivë dhe do të veprojmë shpejt në kërë rrugë dhe jam i sigurtë që rezultatet do të vijnë. Ministri i Jashtëm i Italisë do të zhvillojë në fund të kësaj jave një vizitë në 6 vendet e Ballkanit, që është një sinjal i qartë për vëmendjen, që Italia i kushton rajonit dhe ecjes së tyre drejt BE. Natyrisht, Italia ka një lidhje të veçantë me Shqipërinë për arsye historike, afërsinë e dy vendeve tona, për lidhjet shumë të forta ekonomike, komunitetin e madh të shqiptarëve në Itali dhe atë të biznesit italian në Shqipëri

 

Cilat pritet të jenë përqasjet e Presidencës italiane ndaj BE, që ai të motivojë Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Maqedoninë, Bosnia-Herzegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, që të kryejnë reformat e duhura dhe të shënojnë progres në këtë proces?

– Dhënia e statusit ishte diçka që BE duhet t’ia jepte Shqipërisë: Shqipëria bëri punën, ishte rradha e Europës të bënte pjesën e saj. Dhe e bëri. Shpresojmë që disa çështje, që vazhdojnë të bllokojnë procesin në vende të tjera të rajonit, do të zgjidhen dhe për këtë ka një angazhim të plotë, presim që Komisioni i ri i BE të fillojë punën, por ndërkohë Presidenca italiane po punon me Komisionin aktual, që të mos humbë as edhe një ditë të vetme pune. Kjo është shumë e rëndësishme dhe do të vazhdojë të punojë me Komisionin e ri, për të cilin shpresojme dhe besojmë që do të punojë me të njëjtën vendosmëri dhe angazhim.

 

“DW”