Ahmeti prezanton projektin për tregjet e Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, prezantoi prjektin për tregjet. Për dy tregje, Ahmeti ka vendosur edhe vitet se kur do ti rregullojë, ndërsa për dy tjerat ka thënë se do të kryhen brenda katër viteve.

Tregjet deri më tani kanë funksionuar si Ndërmarrje Shoqërore nën menaxhim të AKP-së. Gjatë prezantimit Ahmeti tha se Komuna e Prishtinës në mandatin e parë është fokusuar në krijimin e Tregut Mobil për prodhime vendore, projekt ky që po iu mundëson prodhuesve tanë t’i shesin produktet e tyre nëpër lagjet e Prishtinës.

Më tej ai theksoi se në mandatin e radhës, fokusi do të jetë në revitalizimin e tregjeve statike në Komunën e Prishtinës:

 

  • Tregu i Gjelbër – Në vitin 2016 Komuna e Prishtinës ka prezantuar projektin e tregut të ri në Zonën Historike, në lokacionin ku momentalisht gjendet AKP. Ajo tokë është pronë e Komunës së Prishtinës, dhe në të do të vendoset tregu i ri i rrethuar nga hapësira komerciale, duke ruajtur çdo dru dhe çdo gjelbërim në atë pjesë. Po ashtu , parashihet që aty të ndërtohet edhe një parking mesatar nëntokësor për të përmbushur nevojat e tregut. Projekti fillon zbatimin në vitin 2018

 

  • Tregu në Ulpianë – Do të revitalizohet në përputhje me kërkesat e lagjes, por edhe duke përmirësuar dukshëm kushtet dhe dukjen e asaj hapësire. Realizimi i këtij projekti do të nis në vitin 2019.

 

  • Tregu me shumicë – Gjendet rrugës për Fushë Kosovë. Për shkak se një pjesë e tij është e vendosur në pronë të Ndërmarrjeve Shoqërore të menaxhuara nga AKP-ja, shitësit shumë shpesh janë ballafaquar me probleme të qirasë. Gjatë mandatit të dytë do të bëhet zgjidhja e vendosjes përfundimtare të tregut, qoftë përmes rregullimit të statusit të pronësisë në mes të AKP-së dhe Komunës së Prishtinës, qoftë përmes kalimit nën menaxhim të plotë të tregut në Komunën e Prishtinës.

 

  • Tregu i automjeteve – Statusi i tij do të rregullohet, për shkak të interesimit shumë të madh që ka për atë treg. Është ndër tregjet më të frekuentuara. Do t’i bëjmë të gjitha investimet e nevojshme ashtu që të jetë sa më funksional.

 

“Të gjitha këto do ta krijojnë një Ndërmarrje Publike Komunale, që do të quhet “Tregjet e Prishtinës”. Ajo ndërmarrje do të funksionojë dhe do të mirëmbahet nga të hyrat që i merr prej shfrytëzimit të hapësirave nga shitësit. Ato para do t’i shfrytëzojmë për investime të reja në ato pjesë. Me funksionalizimin e tregjeve të reja, do të arrijmë t’i mënjanojmë edhe shitësit ilegalë ambulantë nga hapësirat publike në Prishtinë”, tha Shpend Ahmeti.