74 vjet nga konflikti botëror

Sa kohë do ekzistojnë kombe sovrane që disponojnë pushtet të madh, lufta është e pashmangshme”-kështu shprehej dikur fizikani i njohur Einstein në një nga përkufizimet e shumta që njerëzit kanë bërë për luftën. Nëse shihet në retrospektivë kjo thënie të lidh më shumë shekullin e 19-të, i cili është 100-vjetshi i kombeve dhe ideve të kombit, i fushatave të mëdha drejt Lindjes dhe i stabilizimit të konservatorizmit prusian dhe austro-hungarez në Europë kundrejt frymës revolucionare të Francës së ideve të reja. Luftrat përherë kanë patur emra të ndryshëm, sipas vendeve, kohëzgjatjes dhe jo rrallë herë protagonistëve: lufta e Peleoponezit, lufta e Çezarit me Pompein, Lufta 100-vjeçare, lufta franko-prusiane, etj.. Shekulli i 20-të prezanton diçka të re, krejtësisht përfshirëse dhe simbolikisht përfaqësuese: Luftën Botërore. Nëse Lufta e Parë Botërore (1914-1918) e fiton këtë emërtesë, si alternativë ndaj emërtesave të tjera, si Lufta e Madhe, apo Lufta e Kushërinjve, si pasojë e përmasave të pahasura në konfliktet e mëparëshme, apo edhe për shkak se përfundimi i saj gjeopolitik në Europë dhe Lindjen e Afërme ishte me të vërtetë inçiziv, Lufta e Dytë Botërore, zhvilluar në vitet 1939-1945 është e këtillë në çdo pikëpamje ta shohësh. Ajo është Botërore, edhe ngase vuri në plan operativ të fuqive kryesore ambicien politike të gjithëkohshme për sundim apo rregullim global të raporteve, duke tentuar madje një Rend të Ri. Nga një lloj pikë vështirimi historik ajo është vazhdim i Luftës së Parë Botërore pasi e ktheu projektin imperial apo social sipas rastit, nga një parashtrim teorik ose eksperiment të izoluar, në një plan konkret ushtarak me dinamikën dramatike të zgjidhjes së ekuilibrit të ri në fushë betejë deri në asgjësimin final të kundërshtarit. Për rrjedhojë Lufta e Dytë mund të konsiderohet si një ndër ngjarjet më kolektive të njerëzimit. Shifrat e angazhimit njerëzor të saj janë një tregues që nuk lë vend për ekuivoke dhe për këtë si referencë mjafton edhe një burim i hapur si Wikipedia. “Ishte lufta me teatrin më të madh të luftimeve në histori, me më shumë sesa 100 milionë njerëz që shërbenin në njësitë ushtarake nga rreth 30 vende të ndryshme. Në një gjendje të “luftës totale” pjesëmarrësit kryesorë të saj vunë në dispozicion të gjithë kapacitetin ekonomik, industrial dhe shkencor në përpjekjet luftarake duke fshirë dallimin mes burimeve civile dhe atyre ushtarake”, thuhet në enciklopedinë online.

1 shtatori, data zyrtare
e LUFTËS SË DYTË BOTËRORE
Operacioni ushtarak që bëri faktik fillimin e Luftës ishte sulmi Gjermanisë Naziste mbi Poloninë më 1 shtator 1939. Ai u parapri nga disa incidente periferike që gjithësesi janë parathënia e saj: në gusht 1938 Marrëveshja mes Britanisë dhe Gjermanisë i jep kësaj të fundit territorin e Sudeteve në Çeki. Më vonë Çekia vetë bie. Po në këtë vit Perëndimi, që në vitet ’20 kishte rënë dakord me marrëveshje për mosndryshimin e kufijve në Perëndim të vijës Kurzon, pranon bashkimin e Austrisë me Gjermaninë. Në 1939 në lojë hyjnë sovjetikët dhe me paktin e gushtit për mossulmimin, ata së bashku me gjermanët bien dakord për ndarjen e Polonisë, pushtimin nga BS-ja të republikave Balltike, por edhe të një ndarjeje të Finlandës. Në këtë kuadër, sulmi gjerman mbi Poloninë u perceptua nga Perëndimi, Britania e Madhe dhe Franca si paralajmërimi final për atë se ku po shkonte Nazizmi i ndihmuar nga fushatat e vogla mesdhetare të Italisë fashiste, në Abisini dhe Shqipëri, por që kishte rezultuar një burim i çmuar ideologjik për Hitlerin. Për pasojë, Franca dhe Britania në datën 3 shtator, pra dy ditë pas sulmit, duke iu përmbajtur formalisht traktateve që kishin nënshkruar me Poloninë për sigurimin reciprok ushtarak, i shpallën luftë Gjermanisë Naziste. Ndonëse polakët mobilizuan 1 milionë trupa, fushata e gjermanëve ndaj tyre i dha botës një tjetër mesazh: karakterin inovator të luftës që po vinte. Lufta rrufe, përdorimi në masë i tankeve për të çarë vijat e fortifikuara, kombinuar me artilerinë e përqendruar dhe sulmin e aviacionit ishin fillesa të asaj që u quajt Lufta Totale. Një luftë totale që vuri përballë tri regjime ideologjikë, të tri me besimin se e drejta historike ishte me ta: Komunizmin sovjetik, nazizmin e fashizmin si dy sekuenca të së djathtës ekstreme dhe demokracitë liberale të Perëndimit me përfshirjen edhe të SHBA-ve. Në fund, si për të plotësuar kuadrin, në lojë hyri edhe Japonia Militariste, e cila hapi frontin aziatik dhe atë të Paqësorit. Nga kjo perspektivë, përkufizimi i Einstein tejkalohet po të nisemi nga fakti se në këtë përballje u vendosën ideologjitë dhe jo vetëm interesat kombëtare si të tilla. Edhe teoria e rracave, adoptuar nga nazizmi, ishte një ideologji që u unifikua me interesin nacional në një kontekst psiko-social unik në histori. Komunizmi dhe nazi-fashizmi vetëshpallen si forcat revolucionare sa kohë mëtojnë rikonfigurimin, ndërsa demokracitë liberale mbeten ato konservatore. Por në fund janë pikërisht këto të fundit që do të triumfojnë. Për t’u rikthyer tek fushata e Polonisë, sipas të dhënave historike qëndresa e fundit e polakëve daton 5 tetorin e 1939-ës. Në vetvete, kjo fushatë mund të japë një tablo të plotë për të gjithë luftën pasi aty zhvillohen skenat e para që më pastaj morën përmasa globale. Në planin politik, ndarja e Polonisë simbolizon ndarjen e botës, luftën për territore dhe kontestimin e rendit ekzistues; ajo është një shembull i një pazari që gjeti shprehje edhe më vonë. Nga perspektiva europiane ajo është një fushatë drejt Lindjes, shpejtësia e së cilës paralajmëron luftën moderne; ndërkohë që masakra e Katinit është padyshim e dhëna e parë e karakterit radikalisht të ri të Luftës e që sjell me vete edhe sot pasoja të mëdha etike dhe morale. Sepse Lufta e Dytë Botërore, si asnjëherë në histori hap siparin e Krimit kundër Njerëzimit, si akt i pashembullt kur e keqja si kategori morale, e kthen interesin nacional apo konkurimin dhe ndjesinë për triumf, nga elementë pozitivë të një ideologjie, në ndërgjegje kolektive që si hapësirë ekzistence sheh vetëm asgjësimin e Tjetrit. Për këtë arsye Lufta e Dytë Botërore, e vendosi njeriun përballë faktit të paprecedentë të aftësive të tij për t’u angazhuar në një përjekje kolosale të organizimit të vdekjes; ajo e e vendos njeriun përballë njeriut, jo si subjekt të receptueshëm në kontekstin e species, por si subjekt social-ideologjik, realiteti i të cilit pranohet vetëm nën raportin e asgjësimit. Për ta thënë me fjalët e Stalinit: “Njeriu është shkaku i të gjitha problemeve. Pa njerëz nuk ka edhe probleme”. Kampet e Përqendrimit dhe Holokausti me mekanizimin e asjesimit të planifikuar të një populli të tërë, shpreh padyshim impiantin e vetëvrasjes në mjedisin psikik primordial që simbolizohet përmes Kronosit i cili gëlltit të ngjashmit e vet nga një frikë edhe më absurde: atë të humbjes së pushtetit. Është ky reliev kriminal, që e çoi filozofen Hanah Arendt në përkufizimin e kampeve të përqendrimit si vende ku njeriu “krijoi të keqen absolute”, aktualizuar si përvoja më radikale e njeriut, që kthen përmbys imagjinatën mesjetare evropiane të Qytetit të Zotit. Kjo përballje i dha shkas lindjes së termit “luftë e popujve”, edhe si kredo morale, joklasore e bashkimit në një aleancë të panatyrshme të demokracive perëndimore me Diktaturën sovjetike kundër Gjermanisë Naziste. Ky bashkim popujsh që zuri fill me Poloninë, hedh bazën e ideologjisë së bashkëjetesës në diversitet, e cila imponoi në finale paradoksin e madh ku përfaqësuesit e ideologjive ekskluziviste si komunizmi, të përpunojnë qëndrimet e tyre në fillin e instinktit të politikanit. Jalta e shkurtit të vitit 1945, sado e gjykuar shpesh në prizmin e një moralizmi postbelik, është një zgjidhje që rezultoi afatgjatë. Ajo i dha botës 60 vjet paqe relative dhe një bipolaritet të qartë. Frenoi revanshizmin që la pas miopia e atyre që bënë Versajën, i hapi rrugë vetëvendosjes së popujve, duke çuar mandej në modernizimin e kombeve të vegjël nën një hierarki gjithësesi të paracaktuar. Pas Luftës së Dytë Botërore nis epoka e çlirimit nga kolonializmi, teksa rreziku sovjetik i ngritur në kudhrën e luftës maturon edhe më tej demokracitë perëndimore. Jalta ishte shembulli, parimi dhe metoda për Luftën e Ftohtë, apo edhe Maltën e vitit 1990. Ajo mbetet e pasfiduar thelbësisht edhe sot, përderisa Lufta e Dytë Botërore i dha botës perëndimore leksionin se jo çdo gjë mund të vendoset vetëm mbi bazën e raportit të forcave i cili është gjithsesi i paqëndrueshëm. Kundërveprimi sovjetik, që mbyll luftën me flamurin me drapër dhe çekan mbi godinën e Rajhut milenarist në vitin 1945, integroi Lindjen në ndërgjegjen evropiane dhe perëndimore me simbolin e përbashkët të çlirimit nga e keqja. Kjo ka një vlerë të shtuar pasi dyshimi post-1945 mbi të keqen apo përpjekjet korrigjuese në historiografi nuk mund të ngatërrojnë ata që kanë ndërgjegjen e lirisë, e përftuar si e tillë jo vetëm nga përvoja e viktimës. Dhe në kuptimin e të keqes reale të asaj kohe, simptomat e së cilës shprehen edhe sot, ish-presidenti amerikan Rossevelt është i qartë në Lutjen e tij mbajtur me rastin e zbarkimit të trupave në Normandi: “Zot na jep besim në këtë kryqëzatë të përbashkët”!

 

 

Roosevelt: Një kryqëzatë kundër apostujve të së keqes

Amerikanët e mi të dashur: Natën e fundit kur unë fola me ju rreth rënies së Romës, unë e dija në atë moment se trupat e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë po kapërcenin Kanalin në një tjetër operacion, edhe më të madh. Dhe deri tani çdo gjë ka ecur me sukses. Dhe kështu në këtë orë delikate unë ju kërkoj që të bashkoheni me mua në lutjen:
Zot i Madh: Djemtë tanë, krenaria e kombti tonë, këtë ditë kanë ndërmarrë një sipërmarje madhështore, një betejë për të ruajtur Republikën, besimin tonë fetar, qytetërimin tonë dhe të çlirojnë njerëzimin që po vuan. Udhëhiqi ata; jepu forcë armëve të tyre, guxim zemrave të tyre dhe vendosmëri besimit të tyre. Ata do të kenë nevojë për bekimin Tënd. Rruga e tyre do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Sepse armiku është i fortë. Ai mund të prapësojë forcat tona. Suksesi nuk mund të arrihet vetëm duke u shtyrë përpara dhe nxituar, por ne do të kthehemi sërish dhe sërish; dhe ne e dimë se me Mirësinë Tënde dhe nga drejtësia e kauzës sonë, djemtë tanë do të triumfojnë. Ata do të lodhen dhe lëndohen, natën dhe ditën, pa pushim-deri sa fitorja të jetë arritur. Errësira do të nxijë vijë nga zhurma dhe flaka. Shpirtrat njerëzorë do të tronditen nga dhuna e luftës. Sepse këta djem sapo kanë alë nga rrugët e paqes. Ata nuk luftojnë për etjen e pushtimit. Ata luftojnë që t’i japin fund pushtimit. Ata luftojnë që të çlirojnë. Ata luftojnë që t’i hapin udhën Drejtësisë, tolerancës dhe vullnetit të mirë mes të gjithë njerëzve të Tu. Ata përgjërohen për fundin e betejës, për rikthimin e tyre në parajsën e shtëpisë. Disa nuk do të kthehen asnjëherë. Përqafoji këta o At dhe pranoji këta shërbëtorë të Tu heroikë në mbretërinë Tënde. Dhe për ne këtu në shtëpi-baballarë, nëna, fëmijë, gra, motra dhe vëllezër këtyre trimave që po kalojnë detin –mendimet dhe lutjet e të cilëve janë me ta-na ndihmo o Zot i Madh, që t’i përkushtojmë veten tonë besimit të përtërirë ndaj Teje në këtë orë të sakrificës së madhe. Shumë njerëz më kanë kërkuar që unë t’i bëj thirrje Kombit në një ditë të vetme të një lutjeje speciale. Por për shkak se rruga është e gjatë dhe dëshira e madhe, unë u kërkoj njerëzve tanë që të përkushtohen në një lutje të vazhdueshme. Teksa zgjohemi për çdo ditë të re dhe sërish kur çdo ditë kalon, t’i lëmë fjalët e lutjes të prekin buzët tona, të kërkojnë ndihmën Tënde për përpjekjet tona. Na jep forcë gjithashtu-forcë për detyrat tona të përditshme, për të dyfishuar kontributet që bëjmë në mbështetjen fizike dhe materiale për forcat tona të armatosura…Dhe o Zot, na jep Besim. Na jep Besim në Ty; besim në djemtë tanë, besim te njëri-tjetri, besim në kryqëzatën tonë të përbashkët…Me bekimin Tënd ne do të trimufojmë mbi forcat diabolike të armikut tonë. Na ndihmo që të mposhtim apostujt e lakmisë dhe arrogancës rracore. Na udhëhiq që të shpëtojmë vendin tonë dhe së bashku me kombet e tjerë vëllezër drejt një bote të bashkuar që do të përjetojë një paqe të sigurtë, të pacenueshme nga planet djallëzore të njerëzve të padenjë. Dhe një paqe që do të lejojë të gjithë njerëzit të jetojnë në liri dhe ku ata të korrin shpërblimin për punën e tyre të ndershme. U bëftë vullneti Yt, Zot i Madh! Amen.

Shënim: Lutja e Presidentit amerikan Roosevelt ditën e zbarkimit në Normandi, të cilën ai e ndau publikisht me kombin amerikan, e cila dëshmon përfshirjen emocionale në përballjen e madhe globale që përcaktoi botën që jetojmë sot.