5 muaj pas krijimit të qeverisë teknike, Basha kërkon qeveri antimafia

Pesë muaj pas marrëveshjes së 18 Majit, midis kreut të PD dhe kryeministrit, e cila i hapi rrugë krijimit të qeverisë teknike për të garantuar zgjedhjet e 25 qershorit, Basha bën një tjetër lëvizje, krijon frontin opozitar me LSI, dhe partitë PR, PBDNJ, PAA, LZHK, PDK, Lëvizja Zgjidhja, duke kërkuar që të krijohet qeveri antimafia deri në zgjedhjet e parakohshme.

Duke cilësuar situatën e vështirë që po kalon vendi si pasojë e krimit të veshur me pushtet “fronti i përbashkët opozitar”, kërkon largimin e kryeministrit dhe të krijohet një qeveri antimafia, deri në zgjedhjet parakohshme.

Më tej në deklaratë thuhet se kryeministri bëhet përgjegjës për lidhjet e krimit me shtetit.

“Demokracia në Shqipëri ndodhet në një moment kritik dhe në një udhëkryq tepër të rrezikshëm pasi qeveria është bërë frymëzuese dhe mbështetëse kryesore e trafiqeve dhe veprimtarisë kriminale duke tronditur nga themelet sigurinë individuale të çdo qytetari dhe të shtetit në tërësi. Ky moment shumë i vështirë që po kalon vendi dhe qytetarët shqiptarë na imponon: Krijimin e një Fronti të Përbashkët Opozitar kundër krimit me të gjithë partitë politike, që kanë këtë vetëdije për rrezikun madhor, që po kalon vendi”, thuhet në deklaratë.

Më tej shprehet bindja se drejtuesi dhe përgjegjësi kryesor i lidhjeve të krimit të narkotrafiqeve me kupolën e lartë të shtetit dhe përfaqësuesi kryesor i interesave të oligarkisë dhe të korrupsionit është Kryeministri.

Fronti kërkon largimin e kryeministrit nga drejtimi i qeverisë si përgjegjës kryesor i lidhjeve të krimit me kupolën qeverisëse.

Tryeza opozitare konkludoi se kriminalizimi i zgjedhjeve u provua me fakte.

Pjesë e tryezës përveç Bashës dhe Kryemadhit, ishte Fatmir Mediu i Partisë Republikane, Vangjel Dule i PBDNJ, Agron Duka i PAA, Dashamir Shehu i LZHK, Nard Ndoka i PDK dhe Koço Kokëdhima i lëvizjes Zgjidhja.

Qysh me nisjen e sesionit të ri parlamentar, kauzat e trajtuara nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ishin thuajse të njëjtat, ku fokusi kryesor ishte lufta ndaj krimit.

Por kur ditën e djeshme nga përgjimet e autoriteteve italiane për dy të ndaluar për trafik droge përmendej emri i ish-ministrit Saimir Tahiri si i përfshirë, kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u afruan dhe më shumë.

Ishte Basha ai që lajmëroi se këtë të mërkurë do të mblidhte një tryezë të gjithë spektrin opozitar.

Rreth orës 11.30 të paradites së sotme Basha mblodhi në tryezë gjithë përfaqësuesit e opozitës, ku mes tyre e pranishme është edhe Kryemadhi, e shoqëruar nga zyrtarë të lartë dhe LSI.

Tryeza erdhi pas thirrjes së Bashës për një tryezë dialogu për t’iu përgjigjur me një aksion politik luftës kundër krimit.

Nga ana e saj, Kryemadhi tha se situata kriminale është më e rënda që ka pasur vendi dhe se çdo qytetar ndihet i rrezikuar.

Në konferencën e saj për media, liderja e LSI tha se “Mund të ketë pika që e ndajnë PD me LSI, por çështja që na bashkon në një front të vetëm është më e fortë se çdo ndasi që kemi mes nesh. Bashkëpunimi politik është një detyrë që na e kanë ngarkuar qytetarët me votën e tyre. Këtë ne do ta bëjmë në emër të së ardhmes. Atdheu është i përbashkët dhe është shumë i rrezikuar. Koha nuk pret ndaj duhet të mblidhemi së bashku. Mbështes qëndrimin e Bashës për një tryezë të gjerë politike që do t’i përgjigjet me aksion intensiv bandave në pushtet”.

Basha tha më herët se është emergjencë për thirrjen e një tryeze të madhe opozitare. Mbrëmjen e së martës pati dhe një takim kokë më kokë mes Kryemadhit dhe Bashës.

 

Deklarata