2300 pacientë në vit, në Reanimacionin e Kardiologjisë të QSUT

Në Ditën Botërore të Zemrës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vizitoi pavijonin e sapo rehabilituar të Reanimacionit të Kardiologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

“Reanimacioni i Kardiologjisë në QSUT është një model i mirë që duhet përhapur në të gjitha spitalet e vendit, në mënyrë që sa më shpejt të shohim atë që të gjithë duam, një shërbim sa më cilësor për qytetarët”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Duke vënë theksin te vëmendja për sëmundjet kardiovaskulare, ministrja tha se: “Kemi bërë të mundur urgjencën kardiake 24/7, duke shpëtuar 3 mijë jetë njerëzish nga nëntori i vitit 2015. Kemi hapur edhe dy qendra të reja, sot janë diagnostikuese, por shumë shpejt do të jenë edhe trajtuese, në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe në spitalin Rajonal të Shkodrës si dhe planifikojmë që brenda këtij viti, të kemi një laborator të ri hemodinamike në spitalin Rajonal të Fierit”.

Ndërsa Prof. Artan Goda, shef i shërbimit të Kardiokirurgjisë, u shpreh se rikonstruksioni i këtij reanimacioni është një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë, siç duhet, në kohë dhe ashtu si njerëzit e meritojnë, për nevojat në rritje të sëmundjeve kardiovaskulare.

Në Reanimacionin e Kardiologjisë kryhen trajtime moderne të sëmundjeve akute të zemrës, duke i shërbyer afro 2300 pacientëve në vit. Sot ky shërbim ka 20 shtretër të pajisur të gjithë me monitorë modernë individualë dhe qendror, si dhe është i pajisur me aparaturat e nevojshme si defibrilatorët, pacemakër, eko, shiringa elektrike etj.

Rikonstruksioni i ambienteve të Reanimaciont të Kardiologjisë u realizua në bashkëpunim me biznesin privat. Ndërkohë, me një investim të Ministrisë së Shëndetësisë prej 9.5 milion lekë, jo vetëm ky repart, por të gjitha pavijonet e Reanimacionit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë pajisur tashmë me shtretër të rinj, sipas parametrave bashkëkohorë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale u shpreh gjithashtu se kantieri I shëndetësisë do të zgjerohet më tej me investime strategjike, sikurse është ndërtimin e një spitali krejtësisht të ri të sëmundjeve të brendshme dhe spitalit të ri kirurgjikal në QSUT.