13 prill, fluturimi i parë direkt Tel Aviv – Tiranë me ‘ISRAIR’

Nga 13 prilli i këtij viti, me frekuencë 2 herë në javë, nisin fluturimet direkte nga Shqiperia për  në Tel Aviv.

Lajmin e ka dhënë ministri i Turizmit, Blendi Klosi bashkë me homologun e tij izraelian, Yariv Levin, gjatë vizitës zyrtare në Tel Aviv.

Ministri Yariv Levin përshendeti nismën konkrete të bashkëpunimit mes dy vendeve, atë të lidhjes direkte të fluturimeve, si një mekanizëm që do të nxisë më tej shkëmbimet turistike.

Ministri Levin vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Izraelit, po vijojnë të përforcohen edhe në dimensionin ekonomik.

“Është një miqësi e lindur në kohët e vështira të Luftës së Dytë, kur shqiptarët u bënë dera e mikpritjes së mijëra familjeve hebreje”-, tha ndër të tjera ministri Levin duke përcjellë vlerësimet dhe mirënjohjen e qeverisë dhe popullit të tij. Kjo miqësi po zhvillohet në rrafshin ekonomik, vijoi ministri i Turizmit të Izraelit, duke shprehur interesin në rritjen e komunikimit të agjensive turistike mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Izraelit.

Ministri  Klosi tha se “Pritshmëria është të disafishohet numri i turistëve izraelitë në Shqipëri, duke shkuar drejt 50 mijë vetë në vit”.

Ministri Klosi shtoi se në destinacionet turistike të Shqipërisë, turistëve izraelitë do t’u ofrohet përveç të tjerave, edhe rrugëtimi historik i hebrenjve në Shqipëri, si vendi i rrallë në botë që numëron më shumë hebrenj në mbarim të Luftës së 2-të Botërore sesa në fillim të saj.