11 shtatori 2001, Pearl Harbori i dytë

Katër avionë të linjave civile amerikane dhe 19 persona të konsideruar si terroristë të lidhur me Al Qaedën e drejtuar nga Osama Bin Laden ishin dispozitivi i mjaftueshëm njerëzor dhe infrastrukutror për t’i dhënë formën përfundimtare të ashtuquajturit konflikt asimetrik që formalisht konsiston në shpalljen nga ana e ‘botës së qytetëruar’ të luftës ndaj terrorizmit. Simbolikisht ky akt me inskenim operacional të paprecedent, lidhet me datën e fiksuar në histori të 11 shtatorit 2001, kur “Amerika u përball me djallin, me pjesën më të errët të natyrës njerëzore” siç do të shprehej atë pasdite presidenti amerikan Xhorxh Bush në mesazhin drejtuar kombit. Mjafton edhe kjo fjali për të kuptuar ngritjen, që në zanafillë të angazhimit amerikan, të një ideologjie të re, pse jo të mveshur me nëntekst fetar, që mund të konsiderohet ideologjia e parë e Politikës së Jashtme pas Luftës së Ftohtë. Por duke konsideruar në nevojën për përgjigje imediate ndaj ‘agresionit mbi Amerikën’, kërkesa ekstreme për sigurinë, SHBA, krahas nevojës për të mposhtur djallin, kufizoi lirinë e brendshme, duke ngritur pikpyetje serioze mbi forcën e shkëmbimit politik që realiteti ndërkombëtar po impononte mbi vendin e njohur si Kampion i Demokracisë. Për veshët e një qytetari të huaj ky diskutim u orientua kryesisht me përgjegjësinë e Presidentit Bush, apo skifterëve të luftës si Donald Rumsfeld, por koha tregoi se administrata e Barak Obamës ishte po aq e angazhuar ushtarakisht, me ndryshimin se modeli i Afganistanit u zëvendësua me atë të Libisë. Përveç pasojave dhe arsyetimit politik me rëndësi është edhe kronika e ngjarjes, pasi ajo përfaqëson rastin e rrallë të dominimit të klimës së sigurisë së ‘superfuqisë së vetme’ nga një grusht fanatikësh islamikë. Kjo edhe pse jetojmë në kohën kur Edward Snowden po dëshmon se SHBA ka një vesh edhe mbi pëshpërimat e globit, apo kur historikisht ky akt i ngjashëm me Pearl Harborin ka nxitur rishikimin e rendit ndërkombëtar.

Sulmi i parë u krye në orën 8:46 të paradites, kur avioni i linjës ‘11, një Boeing u përplas mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në New York. Në avion ndodheshin 81 pasagjerë, mes të cilëve 5 rrëmbyesit dhe 11 anëtarë të ekuipazhit. Në orën 9:03 një avion i dytë, i United Airlines, fluturimi 175, sërish nga Bostoni në Los Angeles, goditi kullën jugore të Qendrës Botërore. Të dyja kullat do të rrëzoheshin përkatësisht në orën 10:05 kulla jugore dhe në orën 10:28 ajo veriore. Më tej, në orën 9:45, një avion i tretë, fluturimi ‘77 i American Airlines i linjës Washington-Los Angeles, u përplas në godinën e Pentagonit, shtabi qendror i ushtrisë amerikane. Në bord ndodheshin 58 pasagjerë mes të cilëve 5 rrëmbyes dhe 6 anëtarë të ekuipazhit. Në po këtë orë, nis evakuimi i Pentagonit dhe i Shtëpisë së Bardhë. Goditja e fundit mbeti e parealizuar. Ajo synohej të realizohej përmes avionit të linjës New Jersey-San Francisco, fluturimi ‘93, i cili u rrëzua afër Pittsburgh-ut si pasojë e përleshjes mes pasagjerëve dhe 4 rrëmbyesve. Sipas një interviste të vitit 2002 (e pakonfirmuar përfundimisht), të Khalid Sheikh Mohammed, i njohur si ideator i sulmeve, fluturimi ‘93 “kishte për qëllim të godiste Capitol Hill”, një version ndryshe nga ai, sipas të cilit ky avion do përplasej mbi Shtëpinë e Bardhë. Siç mund të shihet, sulmi, i parë në dinamikën e akteve vetëvrasëse të avionëve të rrëmbyer, do të përmbushte objektivin e vet në 29 minuta. Madje duke dhënë goditje në katër simbole të fuqisë amerikane si shtet, njëkohësisht simbole edhe të sistemit politik dhe ekonomik amerikan. Dhe në fakt sulmi në planin teknik ia doli të thyejë rekordin, por vështirë se mund të thuhet kjo gjë në planin politik. Kjo pasi vetë ngjarja si e tillë i bashkoi si rrallë më parë amerikanët, duke nxitur solidaritet global me SHBA-të dhe duke improvizuar një situatë emocionale ku edhe njëherë Atlantiku shihej si garanci për të ‘ardhmen e lirisë’. Një perspektivë kjo e humbur pas rënies së Murit të Berlinit. Në këtë kontekst të ndezur, Kongresi amerikan do të miratonte në datën 14 shtator 2001, Autorizimin për Përdorimin  Forcës Ushtarake kundër Terroristëve, që ende është në fuqi dhe i jep Presidentit të drejtën e përdorimit të të “gjithë forcës së duhur dhe të nevojshme kundër atyre për të cilët ai vendos se kanë ‘planifikuar, autorizuar, kryer apo ndihmuar’ sulmet e 11 shtatorit…”. Pasojë e menjëhershme e këtij pushteti ekzekutiv ishte fushata ushtarake në Afganistan, nisur në 7 tetor të vitit 2001 e që rezultoi me rrëzimin e pushtetit të talebanëve. Nëse shohim sot se një nga qëllimet kryesore të kësaj fushate ishte kapja e Osama Bin Ladenit atëherë operacioni ushtarak në Afganistan është padyshim angazhimi më i madh që është realizuar ndonjëherë për gjuetinë e një njeriu. Një zgjedhje tipike amerikane e cila do të marrë fund vetëm në vitin 2012 në një mënyrë që duket se i dha fund mundësisë që bota të dëgjonte nga Bin Laden edhe një dëshmi përveç kërcënimeve ndaj Perëndimit dhe apelit ndaj myslimanëve. Bin Laden në videofilmimet e tij foli për kryqtarë që pengojnë zhvillimin e botës myslimane, duke shërbyer kështu një propagandë të dyfishtë: atë që synonte të trupëzonte një apel zgjimi për myslimanët bashkë me një shembull apo model vetjak veprimi, por edhe atë se kjo lloj retorike i përgjigjej dhe legjitimonte pretendimin për kërcënime reale ndaj SHBA-ve. Në të vërtetë ishin këto akrobaci propagandistike që ulën ndjeshëm besimin ndaj Shtëpisë së Bardhë dhe e vunë SHBA në qendër të një fryme të madhe frike dhe urrejtjeje. Ka një valë të madhe dyshimi se ajo që ndodhi në 11 shtator mbetet edhe sot e pazbardhur. Sidomos kur sulmet lidhen me fushatën ushtarake në Afganistan. Duket se 11 shtatori pati më tepër një efekt psikologjik sesa real dhe këtë më mirë se çfarëdolloj gjëje e shpjegon ekonomia. Një studim i ndërmarrë nga Kongresi amerikan më 27 shtator 2002, titulluar “Efektet ekonomike të 11 shtatorit”, me autor Gail Makinen, specialist në Ekonominë Politike, ndër të tjera konkludon se: “Kriza gjithashtu dëshmon se tregjet financiare janë shumë efiçentë në përcjelljen dhe përpunimin e informacionit, një fenomen që ndihmon në shpërndarjen si të lajmeve të mira ashtu edhe atyre të këqija shumë shpejt. Si pasojë, tregjet e absorbuan impaktin e 11 shtatorit shpejt dhe sipas gjasave e morën veten në një kohë të shkurtër për t’i vlerësuar pasojat ekonomike në funksion të ngjarjeve apo të rejave të tjera ekonomike. Kjo do të thotë se kursi i përgjithshëm i ekonomisë së SHBA-ve, më shumë sesa nga 11 shtatori, përcakton fluksin e kapitalit që hyn dhe del nga SHBA në pjesën tjetër të vitti 2001”. Sipas të njëjtit autor është parashikimi se investimi mbi sigurinë e tregjeve në të ardhmen do të rrisë kostot dhe se më shumë sesa SHBA, ishin vende të tjera ato që u prekën nga një ngjarje që e gjente botën me një ritëm rritjeje 1.2% në vitin 2001, kundrejt 4% të vitit 2000. Sipas Makinen, 11 shtatori e gjeti botën në recesion, por nuk e shtyu atë më tej. Rrjedhimisht edhe arsyeja e fushatës së Afganistanin mbetet ende sot, në dritën e motivit zyrtar të saj e paqëndrueshme. Kjo pasi në planin thjesht ekonomik, një lëvizje e arsyeshme do të ishte atashimi i normalitetit politik me normalitetin që dëshmoi ekonomia. Aq më tepër pastaj kur Afganistani ishte shembulli i një lufte pa projekt politik alternativ, sa kohë që sot në vitin 2013, amerikanët kanë rënë parimisht dakord që të ulen në negociata me talebanët. Por 11 shtatori ka si simptomën më të rëndë të administrimit politik të tij dhe të përdorimit të bagazhit emocional e patriotik amerikan,  si kartë krediti për politika imponimi ushtarak luftën e Irakut në vitin 2003. Ajo nisi me akuzën se Sadam Hussein dispononte armë të shkatërrimit në masë e që nisur natyra diktatoriale e tij presupozohej se do t’i përdorte ato. Ose më thjesht, me fjalët e Bushit, “aksi i të keqes” janë ato shtete Iraku, Iran dhe Koreja e Veriut që kanë ndihmuar terrorizmin. Në këtë kuadër aspekti ideologjik i Politikës së Jashtme Amerikane jo vetëm përforcohet, por ai haptas në disa drejtime bie ndesh me detyrimet e rendit ndërkombëtar. E përdorur si terminologji në 29 janar të vitit 2002, ky përcaktim, i paraprirë nga akti i përdorimit të Forcës i 14 shtatorit 2001, e bëri të qartë fatin e Sadam Husseinit, i cili me fushatën e vitit 1991 në Kuvajt ishte diskredituar edhe mes myslimanëve dhe arabëve. Por Husseinit i mungonte tipari i radikalit islamik, pasi ai drejtonte një parti nacionaliste, madje me garanci se i kufizonte radikalët e Al Qaedës të dalë në dritë në luftën afgano-sovjetike. Lufta e Irakut e vitit 2003 ka mbetur në kujtesën e arabëve dhe myslimanëve si lufta për naftën. Por me goditjen e Sadam Husseinit, nis një etapë e re, që lidhet me 11 shtatorin. Me rënien e këtij diktatori, SHBA ndërmerr një angazhim për të larguar skalionin e vendeve që përbëjnë sipas saj, Aksin e të Keqes. Kështu edhe me përkufizimin e Bushit, lufta ndaj terrorizmit i nënrenditet një lufte më të gjerë, me natyrë preventive, sa kohë që të ‘këqijtë’ furnizojnë terroristët të cilët mandej godasin Perëndimin. Në këtë betejë SHBA-të mbeten vetëm dhe Bushit sërish nuk i mungon fantazia frazeologjike. Refuzimin e Evropës ai e lidh me atë pjesë të saj që e quan “Evropa e Vjetër”. Në luftën e Irakut do të marrë pjesë vetëm Polonia me Britaninë dhe Australinë. Që këtej do pranuar se sipari i 11 shtatorit më shumë aktualizoi një betejë që vijon edhe sot me Pranverën Arabe dhe Sirinë, sesa një përndjekje e terrorizmit islamik. Ky i fundit vijon edhe sot të gjejë strehën legale si aleat faktik i SHBA-ve në terrenin e përgjakur të Libisë dhe Sirisë, për t’u afirmuar si një forcë të cilën Afganistani duket vetëm sa e forcoi nga ana operative. Ndonëse përshtypja krijohet se radikalët islamikë ishin leva presioni të diktatorëve si Sadami dhe Gadafi kundër Perëndimit, sërish ngritja e valës së demokratizimit në botën arabe dhe gatishmëria për ndërhyrje në Siri, flasin se shumëçka është lëvizur nga shpalljet e 11 shtatorit. Këto leva sot po shërbejnë për të larguar tutorët e supozuar, që kishin gjetur vend në tryezat e politikës ndërkombëtare. Për analogji, nëse ngjarja e 12 viteve më parë provokoi një fuqi si Amerika dhe katalizoi formalisht shpërthimin e forcës së saj, po aq kjo ngjarje e bëri që radikalizmi islamik përherë e më shumë të hyjë në koshiencën e Perëndimit sa si një armik permanent, aq edhe si një fiksion i SHBA-ve. Ky është minusi më i madh ndoshta i kësaj dekade të fundit dhe kjo ka vlerë pasi për herë të parë, që pas luftrave fetare, angazhimi ushtarak kërkon një përligje morale. Moskonsiderimi i këtij elementi dhe dyshimi se pas apelit nacional fshihet demagogjia ka sjellë atë që opinioni publik në Perëndim është thellësisht i ndarë edhe kur përsëriten alibitë e njohura të armëve kimike si së fundmi në Siri. Mjafton kjo për të kuptuar se çfarë ka mbetur nga 11 shtatori i 2001-it.

re.po