1 mijë pacientë përfituan që nga nisja e patronazhimit

 

Sistemi i patronazhimit të spitaleve rajonale dhe programi për bonusin e mjekëve i kanë shtrirë efektet edhe në spitalin rajonal të Kukësit.

Banorët e këtij qyteti dhe jo vetëm nuk kanë më nevojë të udhëtojnë deri në Tiranë për një shërbim më të specializuar mjekësor, pasi prej një muaji Spitali Rajonal i Kukësit patronazhohet nga Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”.

Patronazhimi bëhet me sistem rotacioni çdo javë për shërbimet Neurologji, Endokrinologji dhe Reumatologji.

Programi i patronazhimit përmbyll jo vetëm konsulta dhe ekzaminime, por edhe ndërhyrje kirurgjikale. Nga ky program kanë përfituar vetëm gjatë muajit janar mbi 1 mijë pacientë në Dibër, Kukës, Fier, Korçë, Gjirokastër, Burrel dhe Vlorë, të cilët kanë marrë shërbimin shëndetësor të specializuar pranë vendbanimit të tyre nga mjekët e spitaleve universitare të Tiranës.

Patronazhimi i mjekëve do të vijojë për afro një vit, kur do të përfundojnë dhe 300 specializantët e parë, të cilët do plotësojnë vakumet në të gjithë sistemin.

Përveç patronazhimit, ka nisur edhe zbatimi i programit të bonusit deri në 250.000 lekë për çdo mjek që punon larg vendbanimit të tij. Tashmë kjo nismë është bërë realitet edhe në spitalin e Kukësit, i cili është shtuar një mjek kirurg.